Lajme
Shajtën UÇK-në, e shkelën Kushtetutën, nuk e deklaruan pasurinë, kanë aktakuza | Ministrat që Kurti nuk i shkarkoi kurrë
Demokracia
12:04 | 26 Mars 2023

Share:

Ani pse për Albin Kurtin opozitar kushdo që e shkelte Kushtetutën e Republikës së Kosovës ishte super-kriminel, ai si kryeministër duket se heshturazi po i përkrah shkeljet kushtetuese. Kurti në kabinetin qeveritar të tij po vazhdon t’i mbajë ministre Albulena Haxhiun, e cila propozoi një Projektligj për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Arbërie Nagavcin, që shkeli Kushtetutën vitin e kaluar me direktivat e lëshuara për organizimin mësimor në Komunën e Kamenicës. Margaritarë të këtillë nuk përfundojnë vetëm me shkelin e aktit më të lartë juridik; presion të madh publik ndaj Kurtit pati edhe për shkarkimin e Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, kur vitin e kaluar doli një qëndrim i tiji në të kaluarën ku i quante veteranët “mercenarë”. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ende vazhdon të paraqitet në gjykata për sulm ndaj policëve. Ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, u dënua nga gjykata së fundmi për mos-deklarim të pasurisë.

Gjykata Kushtetuese, për ironi të fatit, njëmbëdhjetë muaj pasi që ia kishte rrëzuar një vendim Qeverisë Kurti, ia rrëzoi edhe një tjetër. Kësaj here, për shkeljet flagrante që u spikatën në Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Kushtetuesja në komentet e saj paralajmëronte rrezikun për politizim dhe arbitratitetin e shkarkimit të anëtarëve të KPK-së, si dhe ndërhyrjet në kompetencat e Avokatit të Popullit, shkruan Demokracia.com.

Ky projektligj, sipas aktvendimit kushtetues “ndryshon përbërjen e Këshillit Prokurorial, duke e zvogëluar proporcionin në mes të anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë, me këta të fundit, të zgjedhur me votën e shumicës së thjeshtë të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë në Kuvend, duke e nënshtruar zgjedhjen e anëtarëve të një institucioni të pavarur kushtetues vetëm në vullnetin e shumicës qeverisëse të përfaqësuar në Kuvend. përcakton kompetencën e Avokatit të Popullit për të zgjedhur një (1) nga anëtarët jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial, në kundërshtim me Kushtetutën dhe funksionet kushtetuese të Avokatit të Popullit”.

Në anën tjetër, ky projektligj “nuk trajton në mënyrë të barabartë anëtarët prokurorë dhe jo-prokurorë në kontekst të mjetit juridik në dispozicion në rast të shkarkimit të tyre, duke u mundësuar ankesën e drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme vetëm anëtarëve prokurorë të Këshillit”.

Gjithashtu, ndërprerja arbitrare e mandatit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial është parë si anti-kushtetues dhe në kundërshtim me praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

Ndërkaq, përpara 11 muajsh, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, shkelte aktin më të lartë juridik me të dyja këmbët kur përzihej në organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës, aty ku njëra nga klasat e një shkolle atje mban mbiemrin e ministres. Nagavci tentonte t’i ndalonte reformat në arsim të ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastratit. Kushtetuesja i jepte të drejtë Kastratit.

“Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të 23 prillit 2021 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (në tekstin e mëtejmë: MASHTI). Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Kamenicës bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.01B/24] i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, thuhej në vendim të Kushtetueses.

Përkundër dy shkeljeve kushtetuese dhe presionit të madh publik për shkarkimin e dy ministreve të kësaj qeverie, Kurti ka vendosur të qëndrojë i heshtur. Mirëpo, kur fliste për shkelje kushtetuese dikur ai, thoshte se kushdo që e shkelë atë është “super-kriminel”. Edhe një herë: “Super-kriminel”.

“Ai që e shkel Kushtetutën është super kriminel, (vazhdon) nuk ka kriminel sot më të madh nëpër burgje se Mustafa, që e ka shkel Kushtetutën e po tërhiqet”, thoshte Kurti dikur.

Presion së fundmi ka pasur nga opozita për shkarkimin e ministres së MINT-it, Rozeta Hajdarit. PDK ka kërkuar shkarkimin e saj, pasi u dënua nga gjykata për mos-deklarim të pasurisë. Gjykata e dënoi me 700 euro atë. Përkundër shkeljes ligjore që përbën, Kurti ka zgjedhur të heshtë për ministren e tij.

“E akuzuara R.H [Rozeta Hajdari] është shpallur fajtor dhe është dënuar me gjobë në shumën 700 euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita kur ky Aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm”, njoftoi Gjykata në dhjetor të 2022-ës.

Në anën tjetër, ministri aktual i Financave, Hekuran Murati, tallej me veteranët duke thënë se më llogari do të kishte Kosova të paguante mercenarë sesa t’i paguante ish-luftëtarët e UÇK-së.

“Tre muaj nga dy mijë euro bëjnë gjashtë mijë euro për kokë – 20 mijë mercenarë të përgatitur ushtarakisht kishin me na kushtu veç 120 milionë euro gjithsejtë. Edhe as faleminderit s’kish pas nevojë me iu thanë”, shkruante ai, të cilën më pas e mbulonte me kërkim falje.

As për të, Kurti nuk ndërmori kurrfarë veprimi.

“Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza”, ishte një nga frazat e përdorura shpesh nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti, në kohën e zgjedhjeve.

Mirëpo në qeverinë e tij aktakuzë nga ministrat kanë ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Që të dy këta ngarkohen për veprën penale “përdorim i armës dhe pengim i personit zyrtar”. /Demokracia.com/

Të ngjashme