Intervista
Shahini lëshon alarmin: 400 mijë kosovarë jetojnë me më pak se 1 euro në ditë, vendi po zbrazët nga të rinjtë
Demokracia
21:10 | 07 Shkurt 2022

Share:

Që nga viti i kaluar ka filluar trendi i rritjes së çmimeve gati në çdo sektor. Në këtë rritje globale nuk ka shpëtuar as Kosova, duke u përballur me shtrenjtim të energjisë elektrike, naftës dhe në pritje të shtrenjtimit edhe të çmimit të bukës dhe imputeve bujqësore, shkruan Demokracia.com.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, në një intervistë për Demokracia.com ka thënë se kjo rritje është e papërballueshme për qytetarët.

“Kjo rritje është e papërballueshme për qytetarët dhe konsumatorët në vend. Po ashtu, edhe për bizneset, për të cilët viti i kaluar u përmbyll me trend të rritjes ekonomike, pas një mbyllje të vitit 2020 nga pandemia. Kjo tregoi që kosovarët dhe ndërmarrësit janë shumë agresiv, në kuptimin pozitiv për ringjallje të ekonomisë, por nuk ka qenë agresive edhe qeveria e vendit për të bërë programe zhvillimore për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit. Rritja e kërkesave dhe mungesa e prodhimit ka arritur që ne të kemi një rritje të çmimeve në të gjitha produktet, edhe në produktet esenciale e që më së shumti i prek qytetarët e vendit”, ka thënë Shahini.

Shahini për Demokracia.com ka treguar se shumë shtete kanë bërë programe për rimëkëmbje, mbështetje dhe subvencionim të pakos së konsumatorit, ndërsa vetëm Kosova nuk ka subvencione me rastin e rritjes së çmimeve.

“Shumë shtete kanë bërë programe për rimëkëmbje, mbështetje dhe subvencionim të pakos së konsumatorit, por Kosova është shumë mbrapa. Kosova është vendi i vetëm që nuk ka subvencione në rritjen e çmimeve”, ka treguar ai.

Sipas Shahinit, shumë shtete kanë ndarë fonde mbështetëse për qytetarët.

“Gjermania ditë më parë ka ndarë për 44 për qind të konsumatorëve që do t’i mbështet për energjinë elektrike, kurse tek ne janë ndarë 75 milionë për mbështetje dhe subvencione të disa kategorive dhe kjo do të ndodhë vetëm një herë, kurse çmimi do të mbetet i përjetshëm. Qeveria duhet ta mbështesë sektorin e energjisë, sektorin e prodhimit, në mënyrë që t’i rrisë kapacitetet prodhuese, por njëkohësisht duhet t’i subvencionojë produktet esenciale”, thotë Shahini.

Shahini: Qytetarët e Kosovës po jetojnë në më pak se 1 euro në ditë

“Varfëria në Kosovë është e skajshme, rreth 20%, prandaj nëse ne i kemi 20% të qytetarëve i bie të jenë 400 mijë të qytetarëve që jetojnë më pak se një euro në ditë. Këta qytetarë nuk mund t’i përballojnë këtij shtrenjtimi. Pensionistëve që marrin 1oo euro, energjia elektrike do t’ia merr 50 për qind të kësaj kostoje”, thotë Shahini.

Ndër të tjera, kreu i AKB-së thotë se shteti për ta zhvilluar ekonominë duhet t’i subvencionojë edhe të varfrit.

Ai përmend një rast të subvencioneve, ku Ministria e Bujqësisë e Serbisë ka 18 herë buxhetin më të madh sesa Kosova.

“Nëse marrim dhe e krahasojmë Ministrinë e Bujqësisë të Kosovës më Ministrinë e Bujqësisë së Serbisë, ku Serbia për subvencionim të bujqve ka 18 herë buxhetin më të madh sesa Kosova. Në Kosovë rritja e energjisë lidhet drejtpërsëdrejti me plehrat kimikale, me pesticidet e ndryshme, të cilat do të rriten dhe janë rritur, prandaj produktet finale po shkojnë në ngarkesë të xhepit të qytetarëve dhe të varfërve e me këtë po sillet ndjenja për ta lëshuar Kosovën”, ka thënë ai.

Kjo i bie, sipas tij, që edhe fuqia punëtore, edhe fuqia konsumuese do të mungojnë. /Demokracia.com/

Të ngjashme