Lajme
Shahini e sheh Fondin Sovran të varur nga politika, Muja e quan sukses të Qeverisë
Demokracia
08:30 | 05 Gusht 2023

Share:

Krijimi i Fondit Sovran nga Qeveria Kurti del të jetë projektligji që po kontestohet me të madhe nga Aleanca Kosovare e Bizneseve. Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje, e konsiderojnë si shans të mirë për ringjallje të ndërmarrjeve në Kosovë.

E sipas Projektligjit të miratuar muaj më parë, Fondit Sovran pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, thotë për Ekonomia Online, se Fondet Sovrane ekzistojnë në më shumë se 100 shtete dhe sipas tij, suksesi ka qenë evident.

“Qëllimi këtu i Kosovës është që ndërmarrjet publike që janë kryesisht ato të aseteve strategjike siç është Telekomi dhe Posta e Kosovës, Ndërmarrja ‘Trepça’. Pastaj ka edhe disa ndërmarrje tjera që i nënshtrohet vlerësimit, mirëpo këto dy ndërmarrje publike të cilët kanë qenë të neglizhuar dhe për arsye të dobëta të pushtetit, janë degraduar dhe qëllimi i Fondit Sovran është t’u jepet një shans. Fillimisht vlerësimit të aseteve, pastaj shndërrimit të njësive në aksione e pastaj të njëjtat të bëhen të tregtueshme në tregjet e kapitalit. Inkurajon kapital të ri por e rëndësishme është edhe thithje të njohurisë së re sa i përket administrimit”, u shpreh Muja, teksa Fondin Sovran në Kosovë e sheh si mundësi për thithje të resurseve të reja.

“Fondet sovrane u takojnë kategorizimeve të ndryshme edhe ka raste të vendeve të pasura me naftë, mirëpo ky lloj i karakterit strategjik, pra nuk po flitet për asi fonde investive që i bëjnë shtetet si Norvegjia… këtu po flitet për Fond Sovran i llojit strategjik që ka për qëllim thithjen e resurseve të reja dhe thithjes së njohurive të reja në ristrukturim të ndërmarrjeve me qëllim që ato të ngritën në vlerë dhe të njëjtat të jenë përformuese, duke e rrit edhe produktivitetin dhe efiçencën e brendshme”, thotë Muja.

Por pak të suksesshme e sheh Fondin Sovran, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini.

Shahini thotë për Ekonomia Online se Fondi Sovran mund të politizohet, pasi udhëheqësit e saj do të zgjidhen nga Qeveria.

Ai thotë se Fondi Sovran edhe e shuan transparencën e cila është tepër e rëndësishme për procesin e shpërndarjes së përgjegjësisë dhe të fondeve, sepse iu jep të drejtë edhe ofertave një burimore.

“Tentimet e Qeverisë për të bërë ndryshime i vlerësojmë por duhet për çdo ndryshim të presim diçka më mirë. Fondi sovran i cili është miratuar, ndonëse me plot kritika nga opozita dhe ekspertët nuk besoj që do ta ketë funksionin e vetë meritor dhe të pritur nga qytetarët dhe Qeveria në formën se si është bërë për arsye se Fondi Sovran do ta krijojë një udhëheqje të re e cila do dihet se në të nuk do jenë njerëz të pavarur dhe të dijshëm por njerëz të politikës, të kyçur e që do të ndikojnë në vendimmarrjen e fondit sovran”, thotë Shahini.

Sipas Shahinit, formimi i saj e shuan transparencën dhe u jep të drejtë edhe ofertave një burimore.

“Njëkohësisht Fondi Sovran edhe e shuan transparencën e cila është tepër e rëndësishme për procesin e shpërndarjes së përgjegjësisë dhe të fondeve, sepse iu jep të drejtë edhe ofertave një burimore. Kjo neve na frikëson se në Kosovë ne po rrëshqasim nga ekonomia e tregut në ekonomi të planifikuar e cila përcaktohet në bazë të negocimit dhe jo në bazë të konkurrencës”, thotë tutje Shahini.

Me formimin e Fondit Sovran e që pritet t’i barten ndërmarrjet publike, si KEK-u, Trepça, Posta, Trainkos dhe Infrakos, Shahini i sheh më shumë si barrë shtesë për shtetin, nëse ato nuk do të mund të funksionojnë.

“Fondi Sovran dhe shumë fonde të tjera janë barrë për buxhetin e shtetit dhe me siguri që shteti dhe Qeveria e vendit nuk ka arritur t’i studiojë të mirat dhe të këqijat e këtij fondi. Ky fond nuk e besoj se neve do na i zgjidhë problemet. Problemet do të zgjedhën vetëm duke krijuar klimë ekonomike, biznesore, afariste, qytetare më të përshtatshme dhe më nxitëse për investime dhe investitorë”, u shpreh Shahini.

Të ngjashme