Sport
Sfida “jetike” me Ballkanin, tifozët e Slavia Prahës rezervojnë aeroplanin për në Prishtinë
Demokracia
19:12 | 18 Tetor 2022

Share:

Slavia Prahën e pret një duel sa i vështirë, aq edhe i rëndësishëm në takimin e radhës në Ligën e Konferencës. Skuadra çeke luan me kampionin e Kosovës, Ballkanin në Prishtinë më 27 tetor (e enjte) në kuadër të Grupit G.

Për këtë takim “jetik” për fatin e grupit, Slavia Praha do ta ketë mbështetjen edhe të tifozëve të saj në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Tifozeria e Slavias, të njohur si “Tribuna Sever” kanë paralajmëruar udhëtim me aeroplan në drejtim të Prishtinës, raporton Demokracia.com.

Ata kanë njoftuar anëtarët e tyre se numri i biletave në aeroplan është i limituar dhe se kanë mbetur edhe 32 vende të lira.

“Miq, dje, në bazë të numrit të regjistrimeve, u vendos që avioni për në Prishtinë për ndeshjen e radhës të Ligës së Konferencës, e cila do të zhvillohet më 27 tetor është gati të bëjë një udhëtim! Por kjo nuk do të thotë se nuk është më e mundur të identifikohesh. Aktualisht ka 32 vende të disponueshme dhe ato po plotësohen shpejt. Kush heziton, mund të ndodhë që të mos i mbetet më vend” – thuhet në njoftimin e tifozëve çekë në faqen zyrtare të grupit të tifozëve.

Sivasspori është lider në Grupin G me katër pikë, po aq sa ka edhe Cluji. Nga katër pikë kanë Ballkani në pozitën e fundit dhe Slavia Praha në vendin e tretë.

Ballkani humbi 1:2 në ndeshjen e fundit me Sivassporin në Prishtinë, duke i minimizuar gjasat për kalim të grupit, anise deri para asaj sfide ishte në pozitën e parë me pikë të njëjta me të gjithë kundërshtarët e grupit./Demokracia.com/

Të ngjashme
Sport • 18 Maj 2024