Lajme
“Serbia po pretendon për gjenocid ndaj serbëve në veri si arsye për zhvendosje ushtarake në lumin Ibër”
Demokracia
20:57 | 04 Qershor 2022

Share:

Profesori amerikan, Daniel Serwer, njëherësh edhe njohës i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, në një vrojtim për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se Serbia po përdor pretekstin e gjenocidit ndaj pakicës serbe në veri, për t’u zhvendosur ushtarakisht në afërsi të lumit Ibër. Serwer e pa këtë veprim të Serbisë si kopje ndaj Rusisë.

“Serbia po përpiqet të kopjojë strategjinë e Rusisë, duke pretenduar gjenocid kundër serbëve në veri të Kosovës si justifikim për zhvendosje ushtarake në lumin Ibër. Mobilizimi i Beogradit dhe ushtrisë së saj në përgjigje të një përçarjeje në çështjen e targave disa muaj më parë duhet të shërbejë si paralajmërim”, ka deklaruar ai.

Ai ka përdorur si ilustrim pesë shtetet mos-njohëse ndaj sovranitetit të Kosovës për ta përshkruar, siç e quajti ai, ndarjen e Evropës. Megjithatë, ai konsideroi se BE-ja dhe SHBA-ja tashmë janë në një linjë për kah aspekti i politikbërjes.

“Për të bërë gjëra të mira në Ballkan, ka kërkuar gjithmonë që SHBA dhe BE të jenë në një linjë. Ata tani janë. Me zhdukjen e marrëzive pa kuptim të Trump, negociatorët seriozë amerikanë dhe evropianë janë sërish në krye. Problemi aktual është se ngritja e rëndë e kërkuar nuk është e gatshme. Evropa është shumë e ndarë. Pesë anëtarë të BE-së nuk e njohin Kosovën. Njëra, Hungaria, është simpatike ndaj qëllimeve nacionaliste ruse dhe serbe. Një tjetër, Kroacia, po ndërhyn hapur në punët e brendshme të Bosnjës për të përfituar një parti politike që ajo kontrollon”, shkroi ndër të tjera në vështrimin e tij Serwer, përcjell lajmi.net.

Njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor ka theksuar vigjilencën e NATO-s drejt lëvizjeve ushtarake serbe.

Në anën tjetër, ai ia ka dhënë notën “B” SHBA-së dhe BE-së, duke kërkuar rezultate më të mira diplomatike në Ballkanin Perëndimor.

“Unë jam profesor. Nota B në shekullin 21 nuk është notë e mirë”, përfundon shkrimin profesori amerikan.

Të ngjashme