OpEd
Serbia është problem i përhershëm, jo i kohëpaskohshëm
Demokracia
08:49 | 05 Tetor 2023

Share:

Shkruan Muhamet Spahiu

Ndoshta pse jemi shtet i ri, por gjithsesi e kemi argumentuar që nuk kemi lidhje me menaxhim/qeverisje!

Po fokusohem në një pikë: marrëdhëniet me Serbinë. Po filloj me një përshkrim të shkurtë për të dal te (pa)aftësia jonë në menaxhim apo qeverisje, quajeni si të doni por është e njëjta gjë. U çliruam me shumë humbje, shumë dëshmorë e martirë, edhe ato pak pasuri që i kishim si pasojë e pozitës së pafavorshme në ish-Jugosllavi/Serbi, u shkatërruan gati 100% në luftë nga Serbia. Intervenoi NATO e na çliroi me një marrëveshje që ne nuk e dimë çfarë përmban (dhe ndoshta mund të e përmbaj edhe zajednicën). U bënë shtet. Me aq sa di, intervenimi dhe shtetësia jonë janë precedentë në të drejtën ndërkombëtare, pasi që e drejta ndërkombëtare nuk i rregullon këto qështje si në rastin e Kosovës.

Çfarë bënë ne!? U entuziazmuam aq shumë sa u ligëm. U morëm fare pak me Serbinë, aq sa na obliguan. Bile në këto 24 vite vazhdimisht situatat konfliktuoze u përdorën për konsum të përkohshëm politik. Harruam që Serbinë e kishin agresor me shekuj, aq sa e njeh historia dhe prej që serbët janë këtu ku janë. Harruam që në gjithë këta shekuj histori, vetëm njëherë fituam vërtet, duke iu falënderua vendosmërisë së UÇK dhe meqë ne ishim të vendosur intervenoi edhe NATO. Për më keq kemi harru që Serbia është e njëjta, vetëm iu ka përshtat rrethanave dhe rrjedhimisht do të vazhdoj njëjtë! Çdo ditë e shohim që Serbia jo vetëm që do të vazhdoj njëjtë, por po avancohet më shumë se ne, ani pse edhe ne na kanë avancuar aleatët.

Megjithatë shtet kemi krijuar, shteti po funksionon, por qasja e jonë qeverisëse është sikur të ishin në mes të Amerikës dhe sikur të na kishin zhvendos nga Ballkani dhe Serbinë se kemi më fqinjë.

Në këto 24 vite padyshim që kemi bërë gabime në hapa, por megjithatë gabimi i vërtet është qasja qeverisëse e jona ndaj Serbisë si kërcënim i vazhdueshëm. Apo nuk e konsiderojmë më Serbinë agresor!

Gabimi i Kosovës është sepse nuk kemi krijuar qasje të përhershme ndaj Serbisë. Nëse ndalemi e vështrojmë, shohim që Serbia na ka konsideruar si problem të përhershëm (sipas tyre deri sa ta rimarrin Kosovën). Serbia ka zyrtarë, institucione, madje edhe ministri të veçantë për Kosovën. Kosovën e kanë përfshi si pjesë të veçantë edhe në kushtetutën e tyre. Pra ka njerëz, pozita politike dhe ekzekutive, institucione dhe trupa që vazhdimisht merren me Kosovën.

Përderisa Kosova merret herë pas here, vetëm kur na obligojnë dhe për obligim ndaj aleatëve, që i bie merremi herë pas here me projekte (po i quaj projekte pasi që kjo qasje është e njëjtë me menaxhimin e projekteve). Fatkeqësisht, në secilin nga këto projekte ne kemi humbur pak nga pak në negociata me Serbinë, në secilin projekt dhe në secilin hap. Dhe në këtë qasje është normale që humbim, pasi që nga projekti në project ka shkëputje. Ne me projekte (apo qështje të veçanta), përderisa Serbia me qasje të vazhdueshme dhe me një arsenal politik, të inteligjencës, bile edhe me veprime kriminale, të përhershëm.

Nuk mund të them që është momenti i fundit, pasi që ky veprim do të duhej të ndërmerrej shumë më herët, megjithatë nuk është vonë të zgjohemi dhe të punojmë, dhe të i kundërvihemi me qasjen e njëjtë Serbisë. Kosova duhet të unifikohet politikisht, dhe të ndërtojnë institucione të përhershme që merrem me Serbinë. Këto institucione duhet të kenë pozita dhe profesionistë të përhershëm, që detyra e tyre është vetëm raportet me Serbinë. Këto institucione duhet të përmbajnë pozita/ekspertë të diplomacisë, sigurisë, ekonomisë dhe inteligjencës, dhe jo vetëm.

Projektet politike të partive politike që kanë udhëheq dhe po udhëheqin kanë dështuar. Vetëm me një qasje të tillë, ne do të jemi të barabartë me Serbinë në këto beteja. Një task force e veçantë do të përkushtohet për ekonomi dhe do të punoj vazhdimisht që të shkëputemi nga varësia ekonomike nga Serbia, e cila veçanërisht po manifestohet përmes importit të mallrave serbe.

Meqenëse nuk jam profil politik, më duhet të kërkoj falje për ndërhyrje në këtë fushë, megjithatë raportet me Serbinë janë obligim i secilit profesion!

 

Të ngjashme