Lajme
Serbia “distancon” bashkëpunimin ekonomik me Kosovën| A shkelet Marrëveshja për normalizim?
Demokracia
23:39 | 19 Maj 2023

Share:

Çdo mall që hyn në Serbi nga Kosova tani duhet t’i nënshtrohet analizës laboratorike dhe deri në marrjen e rezultateve, produktet duhet të bllokohen në magazinat doganore të shtetit serb. Ky është vendimi i fundit i autoriteteve serbe sipas raportimit të Radiotelevizionit publik. Për më tepër, ndonëse jo në mënyrë direkte, vendimi për të vendosur barriera jo tarifore ndaj Kosovës mund të jetë një tjetër shkelje e Marrëveshjes për të cilën ishte zotuar presidenti Vuçiq gjatë këtij viti. Është pikërisht pika 6 e “Marrëveshjes për rrugën e normalizimit” ajo që thekson nevojën për të thelluar bashkëpunimin ekonomik mes vendeve.

Pronari i fabrikës së vajit në Kosovë, Berat Mustafa, ka thënë se prodhimet e Kosovës që shkojnë drejt Serbisë do t’i nënshtrohen analizave laboratorike me një kosto prej 100 euro për çdo mostër.

“Inspektorati në Serbi i njofton se çdo prodhim i cili shkon nga Kosova në Serbi do të ketë marrje të mostrave për çdo prodhim dhe kosto e çdo mostre është 100 euro, dhe duhet të qëndrojë në depo speciale për mos shitje derisa nuk kthehet mostra nga laboratori.” – ka thënë Mustafa për RTK-në

Më tej Mustafa ka shpjeguar se një veprim i tillë krijon situatë të paimagjinueshme dhe se ky veprim i Serbisë po bëhet në kohën kur Kosova ka filluar të shënojë rritje të eksporteve drejt shtetit fqinj.

Nëse çdo kamionë (me mallra) rri 3 javë pa u shitur ajo është e paimagjinueshme”

“Kjo është duke i parë rritjet që kanë filluar eksportet e Kosovës të rriten në Serbi. Kjo është reagimi i tyre që me një kusht do ta bëjnë një pengesë që të ndalohen eksportet e Kosovës të mos kenë trend të rritjes për në Serbi.” – ka thënë ai.

Shkelje e marrëveshjes?

Vendimi i Qeverisë së Serbisë për të vendosur barriera jo tarifore ndaj Kosovës përbën një tjetër hap prapa në Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të cilën kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan me 27 shkurt të këtij viti.

Në nenin 6 të kësaj marrëveshje thuhet mes tjerash se “Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë”. Pra, kjo pikë e marrëveshjes thekson nevojën për të thelluar bashkëpunimin ekonomik mes palëve, shkruan Nacionale.

“Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjes, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe të tjera të ngjashme. fusha nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.” – thuhet aty.

Kujtojmë se rreth tre vite më parë Kosova mori vendim për t’i larguar të gjitha barrierat tregtare për mallrat e prodhuara në Serbi, duke i hapur rrugën një rifillimi të bisedimeve me Beogradin për një marrëveshje që mund t’i mundësojë vendit të vogël ballkanik anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.

Kjo sipas kryeministrit të atëhershëm Avdullah Hoti ishte bërë në përputhje me kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Deri para asaj kohe, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë ishin ndërprerë në nëntor të vitit 2018 pikërisht kur Kosova vendosi taksë 100% për mallrat e prodhuara në Serbi.

Të ngjashme