Lajme
Serbët ua pamundësuan hyrjen në zyra kryetarëve në veri, vjen reagimi i parë nga Qeveria
Demokracia
14:17 | 26 Maj 2023

Share:

Para objekteve komunale të komunave të veriut janë mbledhur qytetarë serbë për të penguar nisjen e punës së kryetarëve të rinj të zgjedhur. Në Zveçan, është tensionuar situata.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar para pak minutash, duke thënë se është obligim i institucioneve qëndrore që t’ua mundësojnë kryetarëve të rinj të katër komunave veriore, që të kryejnë detyrat e tyre.

“Dje u betuan edhe kryetarët e komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Për ta sot është dita e parë e punës. Punë dhe shërbim të cilin duhet ta kryejnë nga zyret e Komunave bashkë me shërbyesit civilë”, ka shkruar Krasniqi.

Turmat para objekteve komunale kanë nisur të bëhen, pasi në Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, u dëgjuan sirena. Derisa në Zveçan janë dëgjuar krisma dhe është hedhur gaz lotsjellës, në komunat e tjera nuk është raportuar për tensionim të situatës.

Reagimi i plotë i ministrit:

Pas mbajtjes së zgjedhjeve të datës 23 prill, janë mbajtur seancat konstituive në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Dje u betuan edhe kryetarët e komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Për ta sot është dita e parë e punës. Punë dhe shërbim të cilin duhet ta kryejnë nga zyret e Komunave bashkë me shërbyesit civilë.

Ata janë zotuar që do t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Si ministri dhe institucione qendrore japim mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të kryetarëve të rinj. E si institucione qendrore e kemi obligim që t’ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve.

Komuna është e qytetarëve. Qytetarët nuk mund të mbeten pa komunë.

Të ngjashme