Lajme
Selimi thotë se NATO-ja në një konferencë konfidenciale ka implikuar shtetin e Serbisë për sulmin terrorist në Banjë
Demokracia
15:42 | 05 Dhjetor 2023

Share:

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, përmes një postimi në platformën sociale, X, ka theksuar se Aleanca Veri – Atlantike, NATO, në një konferencë konfidenciale, ka vënë në dukje rolin e padiskutueshme të shtetit të Serbisë në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

Ashtu si NATO-ja, edhe Bashkimi Evropian, sipas Selimit, duhet të veprojë njëjtë dhe të implikojë Serbinë në sulmin terrorist të 24 shtatorit.

“Është shumë e rëndësishme për konkluzionet e Këshillit emërtimi i autorëve të sulmit terrorist në Banjë. Në një konferencë konfidenciale NATO-ja tashmë vuri në dukje rolin e padiskutueshëm të Serbisë. Le të shohim nëse BE-ja gjen konsensus”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Liderët evropianë në takimet që priten të mbahen në mes të këtij muaji, përkatësisht më 13, 14 dhe 15 dhjetor në Bruskel, do të miratojnë Konkluzionet e Këshillit të Evropës.

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbutja e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, sundimi i ligjit e lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, priten të jenë ndër pikat kryesore të konkluzioneve të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.

Këshilli i BE-së do të shpreh shqetësimin për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së, përfshirë situatën e brishtë të sigurisë, lirinë e shprehjes dhe kufizimin e pluralizmit në pjesën veriore të Kosovës.

“Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe nga Serbia, sikurse edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet në draftin e konkluzioneve të Këshillit të BE-së, ka transmetuar “Radio Evropa e Lirë” të martën e 5 dhjetorit.

Të ngjashme