Lajme
Selimi: Qeveria e Kosovës sillet në mënyrë cinike, zero komunikim për dinarin
Demokracia
23:20 | 07 Shkurt 2024

Share:

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën në mbrëmje, konsideroi se Qeveria e Kosovës po sillet në mënyrë cinike, duke mos komunikuar me partnerët perëndimor për çështjen e dinarit, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që lujti një rol vendimtar në sektorin bankar të Kosovës.

“Të gjithë e mbështesin vendimin e qeverisë së Kosovës për dinarin – secili prej aleatëve tanë kyç dhe të padiskutueshëm respekton kushtetutën tonë dhe domosdoshmërinë për të konsoliduar monedhën e përbashkët euro. Por qeveria sillet në mënyrë cinike”, tha Selimi, ndërsa shtoi se ekzekutivi kosovar “tradhtoi” partnerët perëndimorë për çështjen e dinarit.

“Tradhton një qeveri të cilës i mungon ndjeshmëria minimale për disa njerëz të moshuar të cilët në fakt mund të ndikohen për shkak të afatit shumë të shkurtër dhe mungesës së komunikimi dhe respekti minimal për aleatët”, shkroi ndër të tjera ish-kryediplomati kosovar gjatë mbrëmjes të së mërkurës.

Selimi deklaroi se në vend që Qeveria e Kosovës të punojë që fokusi të mbetet te sulmi i paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në veriun e vendit dhe në domosdoshmërinë për të larguar sanksionet e Bashkimit Evropian (BE), ekzekutivi kosovar krijon “keqkuptime të reja” ndërmjet vendit të vogël ballkanikë dhe aleatëve kryesorë, sikurse për çështjen e dinarit.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) akuzuan Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Megjithë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së ndaj Qeverisë së Kosovës që të ndryshojë kursin, kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, nuk u lëkund nga pozicioni për ndalimin e qarkullimit dhe përdorimit të dinarit serb nën argumentin e shtrirjes së “ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë” në çdo cep të territorit, përfshirë veriun e trazuar të Kosovës.

Të ngjashme