Lajme
Selia e Shenjtë: Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, hap drejt afrimit të njohjes së Kosovës
Demokracia
15:07 | 20 Mars 2023

Share:

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka pritur në takim të hënën Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare të Vatikanit, Paul Richard Gallagher, ku ka shprehur besimin se Selia e Shenjtë do ta njohë pavarësinë e Kosovës, si një kontribut për paqen dhe sigurinë në rajon.

Sipas njoftimit të Kuvendit të Shqipërisë, duke vlerësuar mbështetjen e Vatikanit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon, si edhe marrëdhëniet shumë të mira kanonike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe komunitetit katolik të Kosovës, Nikolla shprehu besimin se Selia e Shenjtë do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Paul Richard Gallagher ka thënë se Selia e Shenjtë inkurajon dhe mbështet normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë një prioritet për Selinë e Shenjtë. Ne besojmë se Shqipëria ecën në drejtimin e duhur, drejt destinacionit të saj evropian dhe se kjo vizitë është dëshmi e këtij besimi. Selia e Shenjtë inkurajon dhe mbështet normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si një hap drejt afrimit të njohjes së Kosovës”, ka thënë ai. /KSP

Të ngjashme