Lajme
Sektori privat i zhgënjyer me punën e Inspektoratit të Punës
Demokracia
21:32 | 19 Nëntor 2023

Share:

Punëtorët, sidomos ata të sektorit privat, vazhdojnë të përballen me shkelje të të drejtave të tyre. Në Inspektoratin e Punës thonë se shkeljet janë evidente dhe kërkojnë më shumë staf për mbikëqyrje. Më 2021 kryeministri Albin Kurti pati premtuar pesëfishim të numrit të inspektorëve, por deri më tash numri i tyre vetëm është dyfishuar

Ruzhdi Ademi është punëtor teknik në njërën nga shkollat publike të Prishtinës, i angazhuar në një kompani të kontraktuar nga Komuna. Dhe për dy vjet sa punon në këtë vend ka thënë se shpesh është përballur me shkelje të të drejtave të punëtorit.

Ai ndihet i diskriminuar edhe për pagën që merr.

“Jemi së pari të diskriminuar me kolegët e tjerë që janë me komunë, ne me privat paguhemi 274 euro, ai që është me komunë i merr 402 euro, të njëjtën punë, të njëjtin orar. Nëpër festa ai merr ekstra, paguhet ekstra, ne jo, jemi të diskriminuar…Tre muajt e fundit nuk ma ka paguar trustin kompania ku kam punuar. E, tash jam në një shkollë tjetër, për fat të mirë, qe një muaj e gjysmë punoj e tek sot ma kanë sjellë kontratën, pagën e kam marrë me të 8-tin, por për fat të keq nuk më është paguar trusti”, ka thënë Ademi.

Për mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve është raportuar vazhdimisht. Sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, vetëm gjatë këtij viti kanë humbur jetën 22 persona në vendin e punës.

Përgjegjës për mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave është Inspektorati i Punës, të cilit së fundmi i janë shtuar 19 inspektorë duke e çuar numrin total në 60.

Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, është shprehur se institucioni që drejton ka nevojë për më shumë staf.

“Gjatë këtij viti, nga janari 2023 deri më tani, Inspektorati i Punës ka realizuar 6.347 inspektime. Me rekrutimin e inspektoreve të rinj të punës numri i inspektimeve do të rritet tutje, ku edhe synojmë në diçka të tillë. Për rekrutimin e inspektorëve të rinj të punës kemi nevojë ende për të gjitha rajonet, pra për 7 rajonet e Kosovës, ku Inspektorati i Punës ushtron aktivitetin e tij”, ka deklaruar Nikçi.

Ai ka thënë se gjatë këtij viti janë shqiptuar 820 gjoba dhe se janë të vetëdijshëm që të drejtat e punëtorëve shkelen, sidomos në sektorin privat.

E kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shprehur i zhgënjyer me punën e Inspektoratit.

“Realisht për ta monitoruar mirë, për ta përcjellë mirë, gjithçka që mbetet nën 200 inspektorë të punës, është numër i vogël. Ne nuk jemi të kënaqur me punën që është bërë”, ka thënë Azemi.

Në kongresin zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i mbajtur në tetor të vitit 2021, kryeministri Albin Kurti pati thënë se do të pesëfishohet numri i inspektorëve. Deri tash numri i tyre është dyfishuar.

Të ngjashme