Lajme
Sejdiu: Institucionet të hetojnë të gjitha rastet e vdekjeve brenda klinikave
Demokracia
19:00 | 06 Janar 2023

Share:

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu i ftuar në “Info Magazinë” ka folur në lidhje me vdekjen e djeshme të një pacienti në Klinikën e Kardiokirurgjigjisë ka vdekur, ndonëse mjeku, Kushtrim Shala, operacionin e kishte cilësuar si të suksesshëm.

Ai tha se mjeku në raste të tilla, duhet ta bëjë më të mirën e mundshme, të intervenojë, gjë që siç u shpreh ai, ka ndodhur.

“Mendoj që mjeku në këto raste do të duhet të bëjë më të mirën e mundshme, në kualifikimin e tij në dituritë e tij dhe assesi të pret fatin e të shoh se çka po bën natyra, e shpëton apo jo, është detyrë e tij të intervenojnë, gjë që ka ndodh”, tha ai.

Sejdiu tha se institucionet duhet të hetojnë të gjitha rastet e vdekjeve brenda klinikave, përcjell Klankosova.tv.

“Do të duhej normal që institucionet, ashtu siç është e paraparë me ligj të hetohen të gjitha rastet e vdekjeve brenda klinikave dhe kjo është detyrë, ku edhe autopsia është detyrim”, u shpreh tutje ai.

Sejdiu u shpreh se mjeku caktohet në kujdestari dhe ai nuk shkon sipas dëshirës së vet.

“Në momentin kur një mjek licencohet, konsiderohet se ai është i përgatitur për punë të pavarur në lëminë që e ka kryer shkollimin dhe normal që është kompetent për të gjitha procedurat për të cilat ai është shkolluar”.

“Mjeku me vetdëshirë nuk shkon në kujdestari, por caktohet, ai duhet të jetë i sigurtë që është i përgatitur për raste urgjente”, u shpreh ai.

Tutje, Sejdiu është shprehur se paraqitja e sukseseve në shëndetësi ndalohet nga SHSKUK-ja, përcjell Klankosova.tv.

“E gjithë kjo tregon një papjekuri së pari institucionale, papjekuri e atyre të cilët janë të thirrur për dhënien e këtyre shërbimeve, në aspektin se çdo gjë është në rregull kur bëhen një intervenim për herë të parë”.

“Por, gjithsesi këto duhet të lihen pas dhe të organizohet një konferencë për shtyp në mënyrë institucionale dhe të tregohet suksesi i arritur në operimin për herë të parë në Kosovë dhe rezultatet, sepse jo çdoherë operimet e suksesshme nxjerrin rezultatin përfundimtar të dëshiruar, sidomos kur është çështja për herë të parë”.

“Një fenomen që është duke u shfaqur tek ne, përmes rrjeteve sociale të paraqitjes së sukseseve në shëndetësi, por edhe të kundërtave, nuk është metodë që është e mirë dhe nuk është e lejuar. Ne e dimë fare se SHSKUK-ja  e ka një rregullohet përmes së cilës ndalohet këto gjëra”, u shpreh ai.

Të ngjashme