Lajme
Gjermania, Franca e Italia e nxjerrin zbuluar Kurtin se ka pranuar Zajednicën dhe Serbisë nuk i kërkohet njohje de-jure, por vetëm de-facto
Demokracia
18:32 | 27 Tetor 2023

Share:

Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kanë kërkuar që Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga ndërkombëtarët më 21 tetor dhe që Serbia të jetësojë njohjen de-facto.

“Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”, thuhet në një letër publike nga tre liderët evropianë, të lëshuar të premten pasdite.

Në letër, duke komentuar takimet e së enjtes në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, liderët evropianë kanë thënë se mirëpresin angazhimin “e të dyja palëve”.

“Kemi marrë parasysh komentet e bëra nga të dy liderët e Kosovës dhe Serbisë për statutin evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për zbatim. Draftstatuti që kemi prezantuar dhe e shtyjmë përpara plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për ta trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”, thuhet në letrën e publikuar në uebfaqen e Kancelarisë gjermane.

Pas takimit të djeshëm të mbajtur në Bruksel, Qeveria ka deklaruar se ka pranuar marrëveshjen bazike të Brukselit dhe atë të Ohrit por që Serbia ka kundërshtuar ato.

Pas takimeve dyditore, liderët e BE-së kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Të ngjashme