Lajme
Sanksionet e BE-së, shtyhet nisma për projektin më të madh të Parkut të Energjisë Diellore prej 100 MW
Demokracia
12:42 | 27 Tetor 2023

Share:

Mbi 95 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga qymyri. Më pak se 5 për qind prodhohet nga burimet e ripërtërishme. Megjithëkëtë, direktivat e Bashkimit Evropian janë që deri në vitin 2030, Kosova obligohet që 31 për qind të energjisë të prodhojë nga burimet e ripërtërishme. Synimi i parë më i madh në këtë fushë i nisur para disa muajve tashmë është pranë dështimit, shkruan Demokracia.com.

Në maj të vitit 2023, Ministria e Ekonomisë ka shpallur ankandin “Procesi konkurrues për dhënien e çmimit të garantuar të blerjes për energjinë e prodhuar nga një central solar fotovoltaik (FV) prej 100 MW, i cili do të ndërtohet në pronë publike”.

Por, kjo nismë tashmë është stopuar. Demokracia.com ka mësuar se stopimi i projektit ka të bëjë lidhur më disa sanksione që Bashkimi Evropian ia ka vendosur Kosovës dhe disa prej fondeve janë të lidhura edhe me këtë projekt.

Bashkimi Evropian në qershor ka vendosur disa masa si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria për uljen e tensioneve në veri.

Centrali solar fotovoltaik parashihej të ndërtohej në zonën kadastrale të Kramovikut dhe Petkoviqit në Komunën e Rahovecit, e cila bazuar në dosjen e tenderit që e ka parë Demokracia.com, do t’i jepej me qira ofertuesit të përzgjedhur për një periudhë jo më të shkurtër se 30 vjet.

Marrëveshja për blerjen e energjisë do të lidhej për një periudhë prej 15 vitesh me operatorin e tregut, i cili garanton blerjen e detyrueshme të energjisë elektrike të prodhuar.

Dhënia e një çmimi të garantuar të blerjes për energjinë e prodhuar nga një central solar FV me kapacitet të instaluar prej së paku 90 MW dhe më së shumti 105 MW rrymë alternative (AC). Kjo do të çonte në nënshkrimin e një sërë marrëveshjeve të projektit, të cilat do të jenë pjesë e Dokumentacionit për ofertim. Ofertuesi i përzgjedhur do të jetë përgjegjës për disejnimin, ndërtimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e centralit solar FV, siç specifikohet në Dokumentacionin e ofertimit.

Ofertuesi i përzgjedhur, brenda 2 viteve nga data e nënshkrimit të Marrëveshjeve të projektit, do të komisiononte centralin solar FV në operim komercial.

Është paraparë që ofertuesi i përzgjedhur do të realizojë një Marrëveshje për blerjen e energjisë (MBE) me Operatorin e Tregut për një periudhë pesëmbëdhjetë vjeçare, duke filluar nga data e komisionimit të centralit solar FV. MBE-ja do të konvertohet në Kontratë për Diferencë (CfD) me rastin e konfirmimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Afati për dorëzimin e ofertave ka qenë data 15 gusht 2023.

Data e hapjes së ofertave ka qenë 18 gusht 2023.

Demokracia.com ka kërkuar një përgjigje nga Ministria Ekonomisë për të mësuar emrin e ofertuesve dhe kompanisë së rekomanduar për kontratë, por ata nuk kanë pranuar të përgjigjen.

Ky ankand nuk është publikuar në ueb-faqen e KRPP-së, por vetëm në atë të Ministrisë së Ekonomisë.

Rreth 850 MW janë kapacitete instaluese për prodhime të energjisë në dy termocentralet me qymyr në Kosovë, ndërsa kërkesa për rrymë gjatë dimrit shkon deri në 1300 megavat. 280 MW janë kapacitetet e instaluara në energjinë e ripërtërishme, ndërsa pjesa tjetër e rrymës sigurohet nga importi. /Demokracia.com/

Të ngjashme