Lajme
Samiti i NATO-s, Vilnius kthehet në fortesë teksa aleatët diskutojnë për luftën
Demokracia
15:59 | 10 Korrik 2023

Share:

Në historinë 74-vjeçare të NATO-s, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare nuk kanë qenë kurrë kaq afër një kundërshtari. Kryeqyteti i Lituanisë, Vilnius, është vetëm 200 kilometra nga kufiri me agresorin rus në Kaliningrad. Ndërsa kufiri i Ukrainës, të cilën Rusia e sulmoi, është vetëm 360 kilometra larg. Kufiri i Bjellorusisë aleate të Rusisë, ku pritet të mbërrijnë luftëtarët e Wagner, është 35 kilometra larg.

Për sigurinë e samitit më të madh të krerëve të shteteve dhe qeverive në historinë e Lituanisë, ushtria e saj dhe NATO po vënë në dispozicion 4 mijë ushtarë, e nëse përfshihet edhe policia e shërbimet sekrete, 12 mijë persona janë angazhuar në total. Takimi do ti kushtojë Lituanisë 38 milionë euro, por sipas presidentit Gitanas Nauseda, këto janë paratë shpenzuara mirë.

Sipas tij, është e rëndësishme që aleanca të tregojë unitet.

“Liderë nga 40 vende do të mbërrijnë këtu, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden. Do të ishte e papërgjegjshme t’i linim qiejt e pambrojtur”, tha Gitanas Nauseda President i Lituanisë

Kërkesa e Ukrainës për anëtarësim, pritet të diskutohet gjatë punimeve të samitit. Presidenti Zelensky kërkon një vend të barabartë në tryezën e aleatëve, por kancelari Sholc dhe një sërë liderësh të tjerë kanë qenë të qartë: “Nuk mund të ketë anëtarësim në aleancën e mbrojtjes, gjatë kohës së luftës”.

Pritshmëritë e Kievit janë të larta, dhe aleatët duhet t’i ofrojnë në këmbim diçka tjetër të rëndësishme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mandati i të cilit u zgjat kohët e fundit për një vit, përsërit pa u lodhur formulën se anëtarët e NATO-s do të ndihmojnë Ukrainën me armë, municione dhe trajnime për aq kohë sa i duhet për të zmbrapsur një sulm rus. Në mesin e shteteve anëtare nuk ka ende një marrëveshje për detajet e politikës ndaj Ukrainës dhe për planet e mbrojtjes për të penguar sulmet e mundshme ruse, thonë qarqet diplomatike.

Përveç kësaj, Hungaria, e cila shpesh mban qëndrime në favor të Rusisë, nuk është shumë e përfshirë në ndihmën e shtetit në luftë. Gjatë samitit, aleatët do të përpiqen gjithashtu të bindin presidentin turk Rexhep Taip Erdogan të heqë dorë nga vetoja për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Të ngjashme