Lajme
Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Rama: Ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së kryeqytetit
Demokracia
13:58 | 24 Tetor 2022

Share:

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka konfirmuar sot lajmin e bërë publik ditën e djeshme nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, për organizimin më 6 dhjetor, në Tiranë, të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Në një postim në Facebook, Rama e ka quajtur këtë event si ngjarjen më të madhe ndërkombëtare në historinë e kryeqytetit.

“Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderët e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel. Por sot Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri evropian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës”, ka thënë Rama.

“Për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë kjo është një ngjarje absolutisht historike. Për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj”, ka shtuar kryeministri.

“Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League shtëpinë e kuqezinjve. Ndërsa për mua dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian and Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare”, ka përmbyllur postimin Rama.

Të ngjashme