Intervista
Sa janë gjasat dhe cili vend do ishte sukses për Ballkanin në grupe, tregon ish-trajneri i suharekasve
Demokracia
18:01 | 07 Shtator 2022

Share:

Vendi i tretë do ishte sukses, ndërsa i dyti do ishte mrekulli për Ballkanin. Kështu ka deklaruar ish-trajneri i skuadrës suharekase, Sami Sermaxhaj në një prononcim për Demokracia.com një ditë para duelit historik të Ballkanit në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës.

Ballkani e nis rrugëtimin në Ligën e Konferencës të enjten me fillim nga ora 18:45 në takimin e parë kundër ekipit rumun, CFR Cluj në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Sermaxhaj, që para disa vitesh drejtoi ekipin nga Suhareka ka vlerësuar se Ballkani ka arritur suksesin më të madh ndonjëherë, madje sipas tij, në kohë rekord.

“Ballkani në kohë rekord ka arritur të fitojë titullin kampion dhe që në debutim të garave ndërkombtare ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, që njëherit paraqet suksesin më të madh të arritur ndonjëherë. Prandaj vetëm pjesëmarrja është sukses kulminant” – ka thënë fillimisht trajneri i mirënjohur kosovar, Sami Sermaxhaj për Demokracia.com.

I pyetur për gjasat e Ballkanit kundrejt rivalëve që ka në grup, Sermaxhaj tha se ekipi i Ilir Dajës nuk është favorit, megjithatë ata kanë një përparësi.

“Jemi dëshmitar që çdo herë e më shumë po zvogëlohen dallimet mes ekipeve. Pra Ballkani në këtë rang garash nuk është favorit dhe presioni do të jetë tek ekipet favorite, prandaj kur presioni është tek kundërshtari atëherë mundësia për të sfiduar me të fortin dhe surprizuar atë është më e madhe”, shtoi ai.

Trajneri i shumë skuadrave elitare në Kosovë tregoi se çka pret nga Ballkani në fazën e grupeve.

“Pres që Ballkani në këtë garë të na përfaqësojë denjësisht futbollin e Kosovës dhe duke parë formën e ekipit besoj që të na surprizojë edhe me rezultate pozitive, e rezultat pozitiv është nëse arrin të grumbullojë nga gjashtë lojë tri deri në gjashtë pike. Pozita e tretë do ishte sukses i madh, mrekullia është pozita e dytë që është shumë shumë e vështirë”, përfundoi Sermaxhaj për portalin.

Ballkani ndodhet në Grupin G të Ligës së Konferencës me Clujin e Rumanisë, Slavia Pragën e Çekisë dhe Sivassporin e Turqisë./Demokracia.com/.

Të ngjashme