Lajme
Sa është përqindja e targave RKS në Veri – si po i ikin serbët vendimit të Qeverisë Kurti
Demokracia
10:08 | 20 Korrik 2022

Share:

Vetëm edhe 10 ditë kanë mbetur nga zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës që targat ilegale të veturave si “KM”, “PZ” e të tjera të kthehen në RKS.

Por, serbët që nuk duan ta zbatojnë këtë kanë gjetur një formë për t’i ikur këtij vendimi. Ata po çregjistrohen nga veriu i Kosovës për t’u regjistruar më pas në komuna të Serbisë dhe për t’i riregjistruar veturat e tyre në ato qytete.

Këtë e ka bërë të ditur një ish-ministër i qeverisë serbe për Kosovën, Goran Bogdanoviq, i cili tani jeton në Leposaviq.

“Serbët nga veriu i Kosovës janë në mëdyshje dhe presin të marrin udhëzime nga Beogradi nëse do të riregjistrojnë veturat e tyre. Aktualisht, rreth 20-30 për qind e pronarëve të automjeteve tashmë kanë targa RKS. Të gjithë serbët nga veriu i Kosovës që punojnë në jug të Ibrit kanë vetura me targa RKS”, tha Bogdanoviq për Betan.

Ai ka theksuar se në muajin e fundit një numër i madh i serbëve janë çregjistruar nga veriu i Kosovës dhe kanë regjistruar vendbanimin e tyre në Rashkë, Kragujevc dhe Beograd.

“Tashmë në veri të Kosovës ka më pak vetura me targa të Serbisë ‘KM’, mbizotëron RKS dhe targa nga Serbia qendrore. Me targat serbe ‘KM’, ‘PR’, ‘PE’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘DJ’ është e pamundur të lëvizësh nëpër Kosovë, kështu që askush nuk duhet të gjykohet se kush e riregjistron automjetin në RKS”, tha Bogdanoviq, raporton Gazeta Express.

Ai u tregua kritik edhe për propagandën e përhapur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe vartësi i tij, Petar Petkoviq, të cilët paralajmëruan një “stuhi” në Kosovë. Madje, këto deklarata po i bënë edhe shkaktare që serbët po çregjistrohen dhe po e lëshojnë Kosovën.

“Shqiptarët nuk kanë asnjë interes për të filluar ndonjë konflikt apo ‘stuhi’ në veri të Kosovës. Gjithçka në veri të Kosovës është nën kontrollin e qeverisë së Kosovës, përveç arsimit dhe shëndetësisë. Qeveria aktuale në Beograd ia dorëzoi Prishtinës të gjitha atributet e shtetësisë: policinë, gjyqësorin, energjinë, vetëqeverisjen lokale, telekomunikacionin, pikat kufitare…”, tha ai.

“Shumë prindër do t’i regjistrojnë fëmijët e tyre për arsimim të mëtejshëm në Serbi pas përfundimit të shkollës fillore ose të mesme. Në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, më së shumti studentë janë nga Mali i Zi dhe Serbia dhe më së paku nga Kosova. Me kërcënime për luftë dhe ‘furtunë”, pushteti në Beograd keqpërdor fatkeqësinë e serbëve në Kosovë, duke bërë që njerëzit të largohen në masë të madhe. Kur presidenti i Serbisë shpall “stuhinë”, çdo njeri normal pyet veten: “Çfarë kërkoj unë në Kosovë”, tha ai.

Sipas vendimit të Qeverisë, afati i riregjistrimit të automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” dhe “DJ” në RKS do të jetë nga 1 gushti deri më 30 shtator dhe ai nuk do të zgjatet.

Të ngjashme