Lajme
Rusia thotë se ka vrarë pesë “diversantë ukrainas” – Putin thërret një takim urgjent të Këshillit të tij të Sigurisë
Demokracia
14:39 | 21 Shkurt 2022

Share:

Zyrtarët ushtarakë rusë kanë thënë se pesë persona që u përpoqën të shkelin kufirin me Rusinë janë vrarë.

Sipas mediave të huaja, të cilat kanë cituar mediat ruse, zyrtarët rusë kanë thënë se trupat ruse dhe rojet kufitare penguan “diversantët ukrainas” të shkelnin kufirin e tyre të përbashkët.

Po sipas raportimeve, automjetet e armatosura ukrainase u shkatërruan në rajonin e Rostovit të Rusisë.

Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, përleshja ndodhi rreth orës 6 të mëngjesit me orën e Moskës në rajonin e Rostovit pranë kufirit Rusi-Ukrainë.

Siç është pretenduar më tej, rojet kufitare të FSB-së zbuluan një “grup sabotazhi” të supozuar nga ushtria ukrainase dhe kërkuan ndihmë nga distrikti i ushtrisë jugore të Rusisë.

Një njësi e ushtrisë ruse shkatërroi dy automjete të ushtrisë ukrainase që dyshohet se kishin kaluar kufirin me zjarr nga armët antitank, sipas një deklarate zyrtare të dhënë për Interfax.

Një pretendim i tillë vjen pas një tjetri përmes të cilit është thënë se një pikë përgjatë kufirit midis Rusisë dhe Ukrainës është goditur nga një predhë e lëshuar nga përtej kufirit.

Kështu së paku ka pretenduar agjencia e lartë e sigurisë e Rusisë, mes një situate të tensionuar në rajonin fqinj të Donbass, shkruajnë mediat e huaja.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, zyrtarët e shërbimit për shtyp të FSB-së njoftuan se “më 21 shkurt, në orën 9:50, një predhë e një lloji të panjohur, e qëlluar nga territori ukrainas, shkatërroi plotësisht vendin e punës së rojeve nga departamenti i kufirit të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë në rajonin e Rostovit”.

Ndërkohë është bërë e ditur se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin do të mbajë një takim të paplanifikuar të Këshillit të tij të Sigurisë të hënën, tha Kremlini.

Ndryshe, Putin zhvilloi një telefonatë të dytë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron në orën 1 të mëngjesit me orën e Moskës të hënën në mëngjes, pasi foli me liderin francez të dielën, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri S. Peskov.

Macron propozoi një samit midis presidentit Biden dhe Putinit, tha presidenca franceze, por Peskov nuk konfirmoi se përgatitjet për një takim të tillë kishin filluar, përcjell Telegrafi.

“Është e qartë se tensionet po rriten”, citohet të ketë thënë Peskov. “Është shumë herët për të folur për plane konkrete për organizimin e ndonjë samiti”.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të së hënës, Putin do të mbante një fjalim, ka bërë të ditur Peskov. Ai nuk specifikoi se për çfarë do të flitej.

Ndërsa nuk konfirmoi planet për një samit, Peskov vuri në dukje se ministri i jashtëm Sergej Lavrov po planifikonte të takohej me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken këtë javë dhe se ai mund të flasë edhe me homologun e tij francez.

Në anën tjetër, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se një samit i mundshëm midis zotit Biden dhe zotit Putin do të mbahet vetëm pas takimeve midis diplomatëve të lartë të dy vendeve, të cilat janë planifikuar paraprakisht për në fund të kësaj jave.

Para kësaj, kancelari gjerman Olaf Scholz do të flasë me telefon me Vladimir Putin të hënën pasdite, ka njoftuar një zëdhënës i qeverisë gjermane, duke shtuar se gjendemi në një “situatë jashtëzakonisht të rrezikshme”.

Të ngjashme