Lajme
Rusia do të tërhiqet nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor pas vitit 2024
Demokracia
21:28 | 26 Korrik 2022

Share:

Rusia tha se do të largohet nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) pas vitit 2024 për t’u fokusuar në ndërtimin e projektit të saj hapësinor, në kohën e tensioneve të rritura midis Kremlinit dhe Perëndimit pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Gjatë takimit me Presidentin rus, Vladimir Putin më 26 korrik, Yuri Borisov, të cilin Putini e emëroi në fillim të këtij muaji në krye të agjencisë ruse të hapësirës Roskosmos, tha se Moska do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj në ISS përpara se të largohet.

Por, NASA tha se Moska nuk e ka treguar qëllimin e saj për tu tërhequr nga ISS.

Robyn Gatens, drejtor i stacionit hapësinor për NASA-n, tha në një konferencë në Uashington se NASA e kishte parë njoftimin e Borisovit, por “nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar”.

Ky njoftim erdhi një javë pasi Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se do të rifillojnë fluturimet drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor me Rusinë.

“Për të siguruar funksionimin e vazhdueshëm dhe të sigurt të Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, për të mbrojtur jetën e astronautëve dhe për të siguruar praninë e vazhdueshme të SHBA-së në hapësirë, NASA do të rifillojë misionet me ekuipazhet e integruara në anijen kozmike të ekuipazhit amerikan dhe “Soyuz-it” rus”, tha NASA në një deklaratë më 15 korrik.

NASA bëri të ditur se astronauti Frank Rubio do të fluturojë me dy kozmonautë rusë në një anije hapësinore “Soyuz”, e programuar për t’u lëshuar nga Kazakistani më 21 shtator.

NASA e ka quajtur më parë vendimtare pjesëmarrjen ruse për funksionimin e stacionit hapësinor dhe se do të donte që partneriteti me Rusinë të vazhdojë deri atëherë.

Të ngjashme