Lajme
“Rugovizmi” i Vjosa Osmanit | Pasi braktisi partinë e tij, bën homazhe te varri i Rugovës me njeriun që në ditët e zisë e quante kolaboracionist
Demokracia
12:04 | 21 Janar 2024

Share:

“Sot përkujtojmë presidentin historik të Republikës së Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë së vendit tonë, njeriun i cili ia kushtoi cdo ditë të jetës së tij lirisë dhe pavarësisë së vendit dhe punoi në radhë të parë bashkë me popullin e Kosovës e në radhë të dytë bashkë me aleatët tanë në mënyrë që sot ta gëzojmë këtë të vërtetë pas shumë sakrificash të popullit tonë”.

Kështu deklaroi sot, presidentja Vjosa Osmani, menjëherë sapo mbaroi homazhet pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, në 18 vjetorin e vdekjes së tij, shkruan Demokracia.com.

Këto fjalë që lartësojnë ish-presidentin Rugova, Osmani po i thoshte me shumë emocion deri sa në krah kishte kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurtin, që së bashku erdhën në pushtet, i cili mbahet mend për akuzat e mëdha në adresë të themeluesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Më 14 janar të vitit 2021, Vjosa Osmani kishte braktisur përfundimisht partinë e ish-presidentit Rugova, Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke nënshkruar marrëveshjen si kryetare e iniciativës “Guxo” me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me anë të të cilës garuan së bashku në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Ndryshe, në komunikatën e Vetëvendosjes, “Gjaku i humbur”, deri sa sulmohej Hashim Thaçi që kishte shkuar në varrim, partia e Kurtit nuk kishte lënë gjë të zezë pa thënë për Rugovën.

“Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk ishin edhe shumë bashkëluftëtarë e atdhetarë të cilët e dinin dëmin politik që Kosovës i bëri Rugova e rugovizmi”, i thuhej Thaçit në këtë komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti nuk e linte të prehej rehat as ish-presidentin Rugova, duke e quajtur atë kolaboracionist.

“Ai ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë”, thuhej më tej në këtë komunikatën e LVV-së, me të cilën ishte bashkuar Vjosa Osmani, duke e braktisur LDK-në e Rugovës.

Kurti nuk ka kërkuar asnjëherë falje për këtë komunikatë. /Demokracia.com/

Të ngjashme