Lajme
RTK që u bë horë me fakenewsin e atentatit ndaj Kurtit, i bënë llaf për etikën Adelina Ismajlit
Demokracia
11:42 | 02 Mars 2024

Share:

Dhëmbet e mprehtë të mbikëqyrjes së etikës editoriale, RTK’ja vendosi mbrëmë që t’i aktivizojë në kurriz të Adelina Ismajlit. Ia ndali transmetimin e një interviste. Asaj me Drilon Gashin.

Këtë vendim të lakmueshëm edhe nga BBC’ja, RTK e mori vetëm disa javë pasi u bë horë duke postuar një fake neës për atentat ndaj kryeministrit Kurtit, një rrenë që i shkonte përshtati propagandës së pushtetit.

Ai fake news detyroi edhe Talat Xhaferin, kryeministrin e Maqedonisë Veriore që të merret me të. Për ta demantuar.

Këngëtarja dhe moderatorja e njohur, Adelina Ismaili dje një orë para fillimit të emisionit që ishte paraparë ka njoftuar se i është ndaluar transmetimi në RTK.

Siç ka shkruar ajo në “Facebook” ndalimi i “Show i së premtes”, i emisionit të saj u bë nga u.d. së kryeredaktorit të RTK-së.

Të dashur miq. Sonte u njoftova jozyrtarisht që është ndaluar transmetimi i emisionit tim “Show i së premtes” sonte nga u.d. së kryeredaktorit të RTK-së. Për më shumë info, do t’iu njoftojmë në ditët në vijim“, tha ajo.

Kujtojmë se ajo është përfshirë së fundmi në debate fetare. Ndërsa edhe në emision do të trajtonte këtë temë e të ftuar kishte teologun Drilon Gashi.

Me 10 shkurt televizioni publik i Kosovës, raportoi se gjatë qëndrimit të Kurtit në Shkup ishte bërë një atentat për vrasjen e tij.

Në raportimin thuhej se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze.

RTK insistonte se kishte pasur tentim për atentat, ndërsa kryeministri Kurti tha se ka marrë kërcënime.

Demantimin ndaj mediumit publik u detyrua ta jepte dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Ai mohoi se autoritetet maqedonase ishin mobilizuar për ta parandaluar një atentat ndaj Kurtit.

“Lajmi që kishte qarkulluar nuk ka të bëjë me realitetin”, ka thënë Xhaferi duke iu referuar lajmit të publikuar nga RTK’ja, i cili mori epitetin si lajmi më i rrejshëm i kohëve te fundit.

Të ngjashme