Lajme
Rrusta: Kurtit nuk i takon të jetë pjesë e brendshme e zhvillimeve në Maqedoni të Veriut
Demokracia
17:37 | 14 Gusht 2023

Share:

Efektet e vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Çair e Tetovë i ka komentuar edhe anëtarja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Teutë Rrusta.

Rrusta në emisionin “FIVE” ka thënë se Kurtit nuk i takon të jetë pjesë e brendshme e Maqedonisë.

“Përvec përçarjeve të brendshme që solli atje, nuk mendoj se Kurtit i takon të jetë pjesë kaq e brendshme e zhvillimeve në Maqedoni, sepse është kryeministër i Kosovës. Bën të shkojë, po çfarë ideje dëshiron të ngjallë? E frika se është vetëm në kuadër të një ideje që lidhet me personalitetin e tij të simbolikave të një lider që bashkon shqiptarët, që të tingëllojë si nacionalizëm e populizëm që e kishte si lider edhe në opozitë por edhe pushtet”, ka thënë Rrusta.

Ndryshe, në lidhje me këtë vizitë, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka kërkuar sanksionimin e drejtuesve të komunës së Çairit dhe Tetovës, për siç ka thënë, “provokimet nacionaliste që propozojnë ide shoviniste të shteteve të mëdha”.

Këtë deklaratë të Pendarovskit, kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, në “Magazinë” të Radio Dukagjinit e cilësoi si të ngutshme, dhe se sipas tij, ai nuk është informuar mirë nga kabineti apo këshilltarët.

Ganiu u shpreh se organizimi në Çair ka shkuar sipas protokollit dhe se nuk ka pasur asnjë provokim.

“S’kemi marrë reagim zyrtar, por jemi të njoftuar nga mediumet. Është deklaratë e ngutshme dhe jo mirë të informuar nga kabineti i tij, në evenimentin që është mbajtur në Çair është shkuar sipas protokollit dhe nuk ka pasur provokim”, ka thënë ai.

Ganiu theksoi se nuk ka pasur asnjë problem ligjor në lidhje me përurimin e një rruge me emrin e Adem Demaçi.

“Po, kjo rrugë ka kaluar pothuajse dy vite të gjitha procedurat edhe në këshillin komunal në Cair, edhe ne këshillin e qytetit, asnjëherë nuk ka pasur kritika. Nga ana tjetër ne normalisht përurimin e këtyre rrugëve që janë domethënës për kombin tonë kemi shikuar t’i bëjmë me bashkëpunëtorë… ishte edhe presidentja Vjosa Osmani në Çair, ku përuruam një rrugë Ibrahim Rugova, dëshira jonë ishte që atë rrugë ta përurojmë me presidenten Osmani. E kemi pasur qejf të jetë pjesëmarrës Kurti si bashkëpunëtor, si krah i djathtë i Demaçit”, tha ai.

Gjithë këtë “rrëmujë”, sipas tij, e shkaktoi ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

“Në një TV, Bujar Osmani, një natë përpara e kanë pyetur se në çfarë cilësie vjen Kurti në Çair, ai tha se nuk vjen si kryeministër, por vjen privatisht, e filloi pastaj pati reagime edhe nga të tjerët”, tha ai.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës gjatë qëndrimit në Shkup dhe Tetovë nuk u takua me zyrtarët qeveritarë, por u prit nga tre drejtues të partive opozitare shqiptare.

Në Tetovë ai foli mes tjerash për rëndësinë e një rruge që do të lidhte Prizrenin me Tetovën me anë të një tuneli në Malin Sharr.

Po ashtu, theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të mbahet më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë dhe sa më larg Serbisë, që të afrohet drejt BE-së.

Gjatë përurimit të rrugës “Adem Demaçi”, Kurti u shpreh se emërtimi i një rruge me emrin e Demaçit, është akt këmbënguljeje në përpjekjen e shqiptarëve për liri.

Të ngjashme