Lajme
Rritja e çmimit të rrymës prek më së shumti prodhuesit vendorë, paralajmërohen falimentime të bizneseve
Demokracia
19:21 | 17 Janar 2022

Share:

Qytetarët e Kosovës shumë shpejtë pritet të përballen edhe me rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Demokracia.com ka publikuar sot raportin që ka përgatitur Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), e cila është në procesin e Shqyrtimit të Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërive.

Sipas të dhënave në këtë raport, propozimi i ZRrE-së për mbulimin e kostove është për rritje të tarifave prej 9 për qind.

E një rritja e çmimit të energjisë elektrike, përveç që do të prek xhepin e konsumatorit, do u shkaktojë humbje të mëdha edhe ndërmarrjeve prodhuese në vend.

Kështu ka thënë për Demokracia.com, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

Ai ka thënë së rritja e çmimit të energjisë elektrike do të prek më së shumti prodhuesit vendorë.

“Më së shumti preken prodhuesit vendorë, bizneset shërbyese dhe ato tregtare. Rritja e çmimit nuk e kursen askënd. Të gjithë do të preken nga rritja e energjisë dhe të gjithëve do ju përkeqësohet gjendja”, ka thënë Shahini për Demokracia.com.

Kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit nuk përjashton mundësinë që kjo gjendje mund t’i çojë edhe në falimentim bizneset që tashmë janë në gjendje kritike.

“Natyrisht disa biznese që janë buzë falimentimit për shkak të politikave të këqija, interesit të lartë bankar, humbjes së fuqisë konkurruese, kjo vetëm do të çojë drejtë falimentimit të atyre që nuk do të mund ta përballojnë edhe rritjen e çmimit të energjisë”, ka thënë Shahini për Demokracia.com.

Sipas tij, paralajmërimi për rritje të çmimit të energjisë elektrike do ta dëmtojë akoma më shumë ekonominë kosovare dhe do ta rendojë edhe më shumë konsumatorin.

Shahini thotë se bizneset e Kosovës kanë humbur miliona euro në mungesë të energjisë elektrike, ndërsa shton së më shtrenjtimin e rrymës nuk sigurohet se nuk do të ketë më reduktime.

“Paralajmërimi që energjia elektrike mund të rritet është një nga paralajmërimet më të këqija, e cila mund ta dëmtojë ekonominë kosovare dhe ta ngarkojë edhe më tutje konsumatorin kosovar për arsye se gjithçka në Kosovë është rrit përpos pagave. Rritja e çmimit të rrymës do të krijojë pakënaqësi edhe më të mëdha sociale, por do të jetë edhe humbje e fuqisë konkurruese e prodhuesve vendorë karshi bizneseve të tjera tregtare dhe prodhuese në vendet e tjera. Kur ki parasysh se bizneset e Kosovës kanë humbur miliona euro në mungesë të energjisë elektrike, tash edhe nëse shtrenjtohet rryma, askush nuk siguron që do të këtë furnizim të rregullt me energji. Prandaj rritja e produktivitetit dhe prodhimit të energjisë elektrike në Obiliq është më së e nevojshme dhe mbajtja stabile e prodhimit. Çështje tjetër është që më çdo kusht të futet në sistemin e pagesës veriu i Kosovës, i cili është ngarkesë konsumuese, por nuk është në pagesë shpenzuese mujore”, ka thënë Shahini.

Ndërsa, pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka thënë për Demokracia.com se rritja për 9 për qind nuk do të ndryshojë dhe nuk do t’ju shkaktojë rritje të çmimeve të prodhimit. Megjithatë, ai konsideron se KESCO dhe KEDS kanë fitim të mjaftueshëm në Kosovë, prandaj rritja e çmimit të energjisë nuk është e arsyeshme.

“Çmimi për 9 për qind nuk do të ndryshon aspak dhe nuk do të na shkaktojë neve rritje të çmimeve të prodhimit ose diçka tjetër. Mirëpo nëse me ketë rritje stabilizohet furnizimi me energji elektrike, atëherë është e arsyeshme, por prapë po them në bazë të fitimeve që i kanë pas KESCO dhe KEDS, unë po mendoj se ata kanë fitim të mjaftueshëm dhe në Kosovë shpeshherë edhe po bëhen tendenca të tilla që disa ndërmarrje që kanë monopol në treg të kenë fitime sa më të mëdha”, ka thënë Piraj për Demokracia.com.

Sipas tij, për ekonominë kosovare më mirë do të ishte ta paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike dhe të ketë furnizim të rregullt.

“Sa i përket rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, së pari duhet cekur se në bazë të raporteve vjetore që japin pasqyrat financiare KEDS dhe KESCO, nuk është së kanë humbje, por ato kanë fitime të vazhdueshme dhe ato fitime për kushtet kosovare dhe prej kushteve prej të cilave ata e kanë privatizuar Distribucionin e Energjisë Elektrike janë shumë të mëdha. D.m.th këto dy ndërmarrje, nëse i marrim atëherë brenda viti kanë mbi 15 milionë euro fitim, nga 24 milionë sa e kanë blerë. D.m.th nëse është qëllim i tyre që brenda vitit të fitojnë 24 milionë, atëherë është diçka tjetër. Por, në bazë të rrethanave të cilat po sillen në treg dhe në bazë të rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe mungesave që ne po kemi, për ekonominë kosovare më mirë do të ishte ta paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike dhe të kenë energji, sesa ta ketë çmimin më të lirë dhe mos të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike”, ka thënë Piraj për Demokracia.com.

Sipas propozimit të ZRrE-së, fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për 2.29 euro në muaj. Ndërsa, fatura me konsum deri në bllok për 3.06 euro në muaj. Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kWh rritet për 26.98 euro. Ndërkaq, për konsum mujor prej 1000 kWh, me 50.89 euro. /Demokracia.com/ 

LEXO EDHE:

DOKUMENTE | ZRrE-ja propozon rritje prej 9 për qind për shumicën e tarifave të energjisë elektrike

Të ngjashme