Lajme
Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur, shtrenjtohen edhe materialet ndërtimore
Demokracia
16:19 | 10 Qershor 2022

Share:

Ngritja e çmimeve nuk ka të ndaluar në Kosovë. Pas shtrenjtimit të naftës, benzinës dhe produkteve ushqimore, tashmë janë ngritur edhe materialet ndërtimore.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, (ASK) ka publikuar raportin për “Indeksin e tërësishëm të Kostos së Ndërtimit në Kosovë  (IKN) TM1 2022” ku tregohet se pati  rritje për 11.5 për qind në tremujorin e parë  (TM1) 2022 krahasuar me tremujorin e katërt (TM4) 2021.

Siç thuhet në të njëjtin raport, nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të vitit paraprak TM1 2021 Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 24.6 për qind, shkruan Demokracia.com.

“Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje për 11.5 % në tremujorin e parë (TM1) 2022 krahasuar me tremujorin e katërt (TM4) 2021. Krahasuar me te njëjtën periudhë të vitit paraprak TM1 2021 Indeksi i Kostos të Ndërtimit pati rritje për (24.6 %)”.

Raporti thekson se rritje më të madhe kishte te kategoritë si materialet me 13.2 për qind, transporti për 12.3 për qind, makineritë për 6.9 për qind, pagat për 6.2 për qind, kostot e tjera për 3.6 për qind si dhe energjia për 0.3 për qind.

Ndërkaq, nëse krahasohet tremujori i parë 2022 me tremujori e parë 2021 me një rritje prej 24.6 për qind, shihet se ngritja  e indeksit kryesisht u vërejt te kategoritë si materialet me 30.4 për qind, transporti për 19.8 për qind, energjia për 13.2 për qind, makineritë për 8.6 për qind, pagat për 8.4 për qind si dhe  kostot e tjera për 8.2 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje për 11.5 % në tremujorin e parë (TM1) 2022 krahasuar me tremujorin e katërt (TM4) 2021. Rritje më të madhe kishte te materialet (13.2 %), transport (12.3 %) ,makineritë (6.9 % ),pagat (6.2 % ),kostot e tjera (3.6%) dhe energjia (0.3 %) . Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati ngritje (24.6%) në tremujorin e parë (TM1) 2022 krahasuar me tremujorin e katërt (TM1) 2021. Ngritja e indeksit kryesisht u vërejt te kategoria materialet (30.4 %), transport (19.8 %), energjia (13.2%), makineritë (8.6 %),pagat (8.4 %).dhe kostot e tjera (8.2 %)”, thuhet në raportin e ASK.

Kujtojmë se në Kosovë aktualisht ngritje të çmimeve ka tek çdo produkt ushqimor. Po ashtu edhe çmimi i naftës dhe benzinës ka shënuar një rritje të lartë.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), brenda një viti, ngritja e çmimit të vajrave dhe yndyrave ushqimore ishte më e madhja me 51.3 për qind, pasuar nga buka me 24.3 për qind.

Po ashtu, rritje të theksuar të çmimeve ka pasur edhe qumështi, djathi e vezët me 21.7 për qind dhe energjia elektrike me 17.6 për qind.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill ka arritur në 11.2 për qind.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 24.3 për qind, mishi me 13.5 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 21.7 për qind, vajrat dhe yndyra ushqimore me 51.3 për qind, perimet me 13.8 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 15.9 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore me 11.6 për qind, kafeja, çaji dhe kakao me 13.6 për qind, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 5.9 për qind, duhani me 4.8 për qind dhe mirëmbajtja dhe rregulli i vendbanimit me 8.2 për qind”.

Brenda një muaji, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat dhe yndyrat ushqimore me 15.6 për qind, ndjekur nga gazi me 10.8 për qind dhe shërbimet e transportit me 3.9 për qind./Demokracia.com/.

Të ngjashme