Lajme
​Rritet numri i personave që hynë në Kosovë
Demokracia
12:41 | 08 Korrik 2023

Share:

Numri i personave që kanë hyrë në Kosovë ka shënuar rritje krahasim me vitin paraprak. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar rritje të numrit të udhëtarëve për rreth 15 për qind krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Ndërkaq, edhe numri i personave, të cilët kanë hyrë dhe dalë nga Kosova, në të gjitha Stacionet Policore Kufitare (SPK) të Republikës së Kosovës nga periudha janar-qershor, është për rreth 100 mijë më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara deklaron për KosovaPress se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka mbi 1.5 milionë udhëtarë.

Gara thotë se vitin e kaluar numri i udhëtarëve ka qenë afër 3 milionë, ndërsa në këtë vit shpreson që kjo shifër të tejkalohet.

“Ne kryesisht kemi rritje të numrit të udhëtarëve, nëse krahasojmë periudhën e vitit të kaluar me këtë periudhë të këtij vitit, kemi rritje për 15 për qind, ndërkaq në muajin qershor kemi një rritje rreth numrit të udhëtareve për 10 për qind…Ne vetëm në gjashtëmujorin e parë kemi mbi 1.5 milion udhëtarë. Vitin e kaluar pothuajse kemi arritur deri tek shifra 3 milionë, por nuk është arritur kjo shifër e saktë, andaj këtë vit presim që kjo shifër të tejkalohet. Tani vetëm se jemi në fillim të sezonit veror, prandaj besojmë se do të kemi një fluks më të madh, sidomos tani në muajin korrik dhe gusht”, thotë Gara.

Derisa thotë se Zvicra prin me numrin më të madh të udhëtarëve, Gara nënvizon se pas liberalizimit të vizave, nga viti i ardhshëm presin fluks më të madh të numrit të udhëtarëve.

“Presim që gjatë vitit të ardhshëm për shkak të liberalizimit të vizave të kemi një fluks edhe më të madh të numrit të udhëtarëve…Ne jemi duke punuar vazhdimisht në këtë drejtim, duke rritur kapacitetet tona, si të infrastrukturës, dhe të burimeve njerëzore, besojmë se çdo gjë do të shkojë siç është më së miri”, vijon Gara.

Ndërsa, nga Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për KosovaPress bënë të ditur se numri i personave që kanë hyrë në pikat kufitare të Kosovës vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti është mbi 4 milionë e 300 mijë. Ndërsa, për periudhën e njëjtë është mbi 4 milionë e 200 mijë. (te montazha wshtw grafika qw e kanw dwrguar policia)

Ndërkohë, të shumtë janë familjarët që i presin me padurim e me mall të afërmit e tyre.

Qytetarja, Shkendije Karanxha, e cila pret vajzën në aeroport thotë se mezi pret ta takojë.

“Unë që tri vite e kam vajzën jashtë, menzi po e presim. Tash veç sa ka mbërri dhe jemi duke e prit me dalë, vjen prej Gjermanisë…Është shumë vështirë, si nënat. Për nipin gjithashtu jam përballuar shumë…Bile rruga gjatë mu ka dokë, vajza kur e ka parë aeroplanin tu ateru, u gëzuam, ndjenjë e mirë, menzi po e presim…Por, sërish më mirë, shyqyr se janë atje, kushtet më të mira”, thotë Karanxha.

Edhe qytetari Ymerzad Zubaku, i cili ka ka shumicën e familjarëve në shtete të ndryshme evropiane, shprehet i mërzitur me ikjen e tyre nga vendi.

Zubaku shpreson që e ardhmja e afërt të jetë më e mirë, në mënyrë që mos të braktiset vendi kaq shumë nga të rinjtë.

“Malli na ka marrë, por faleminderit se po vinë shpesh po na vizitojnë dhe po kalojmë diqysh, se malli na merr për nipa e mbesa, u përvëluam…Të gjithë i kam jashtë, veç një e kam këtu (vajzën)…Janë shku jashtë për një jetë më të mirë…Por, dashtë zoti të mos i përcillni edhe ju sikur ne, por dashtë zoti të bëhet mirë këtu e nuk na hupin…Po treten rinia, po hupin”, thotë Zubaku.

Ndërsa, qytetari Liridon Bytyqi, i cili jeton në Gjermani thotë se çdoherë e më shumë Kosova po zmbrapset nga të rinjtë.

Bytyqi për KosovaPress thotë se nëse në Kosovë rregullohet çështja e sigurimit shëndetësor, do të kthehet këtu për të jetuar.

“Jetoj në Gjermani që shtatë vite me familje…Në Kosovë kam motrën dhe gjyshen e familjarë të tjerë…Është ajo ndjenja që kur largohesh prej këtu njëfarë freskie, do flutura në bark…Në të ardhmen e afërt mendoj të kthehem në Kosovë, nëse rregullohet pak çështja e sigurimit shëndetësor, aty është problemi, se atje nëse lëndohesh në punë, ose nëse nuk punon e ke një pagesë, ndërsa këtu është problemi tek sigurimi. Unë kam jetuar më herët në Kosovë dhe kam punuar, por atë ditë që nuk kam punuar ka qenë muaji pak më i dobët…Mirëpo, sa herë vi më duket më dobët, më pak njerëz kishte këtë herë, sepse un kam qenë edhe para një muaji, por për një muaj vërehet një dallim i madh, më pak njerëz, rini më pak”, shprehet Bytyqi.

Të ngjashme