Lajme
Në Qeverinë Kurti rriten ankesat e shërbyesve civilë dhe atyre që aplikuan për punë
Demokracia
18:00 | 01 Shkurt 2022

Share:

Ankesat e shërbyesve civilë të Kosovës janë rritur vitin e fundit. Sipas të dhënave të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil në Kosovë, vitin që shkoi në këtë këshill kanë pranuar 1233 ankesa nga shërbyesit civilë, shkruan Demokracia.com.

Ky këshill ka për detyrë shqyrtimin e ankesave të nëpunësve civilë dhe aplikuesve për punësim në shërbimin civil të Kosovës, mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil dhe vëzhgimin e zgjedhjes së nëpunësve civilë të nivelit drejtues dhe niveleve të njëjta në institucionet e Kosovës.

“Në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, numri  i ankesave të arritura gjatë vitit 2021, ka qenë gjithsej 1233 ankesa, krahasuar me vitet e kaluara që nuk ka pasur tejkalim të këtij numri mbi 1000 (një mijë)”, kanë thënë për Demokracia.com nga KSHPMSHCK-ja.

Të dhënat e këtij këshilli tregojnë se për vitin 2018, kur këshilli ka qenë funksional, ka të pranuar 859 ankesa.

“Duke ju referuar krahasimit të dy viteve të fundit, kur Këshilli nuk ka qenë funksional 2019/2020, në këtë periudhë janë pranuar 781 ankesa për vitin 2019, kurse për vitin 2020 janë pranuar 444 ankesa”, kanë bërë të ditur nga ky këshill për Demokracia.com.

Ndërkohë, në 6 vitet e fundit ky këshill ka pranuar 4 mijë e 732 ankesa.

“Numri i ankesave në 5-6 vitet e fundit kanë arritur gjithsej 4732 ankesa, gjithashtu duke ju referuar të dhënave nga databaza e Këshillit për periudhën nga data 01.01.2016 deri me datën 31.12.2021”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ata kanë njoftuar se lidhur me këtë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në faqen zyrtare të saj ka të publikuar raportet vjetore ndër vite, të cilat janë të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës, ku janë raportuar të dhënat e ankesave në formë tabelare, për natyrën e ankesave deri tek zbatimi apo moszbatimi i vendimeve të Këshillit. /Demokracia.com/

Të ngjashme