Lajme
Rrëzohet sërish Bislimi, pranon të takohet me Lajçakun për dinarin
Demokracia
08:11 | 05 Mars 2024

Share:

Dribleri i qëndrimeve politike, i njohur edhe si zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, këtë të martë do takohet në Prishtinë me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, edhe pse kryenegociatori kosovar thoshte se monedha serbe “s’është çështje për dialog”.

Lajçak njoftoi të hënën se temë e diskutimit do jetë pikërisht dinari, derisa ka theksuar se takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismajli dhe drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, “ishte një hap i rëndësishëm”.

“Megjithatë, mbeten shumë pyetje politike dhe do të nevojiten bisedime shtesë në ditët në vijim. Kjo është arsyeja pse si hap i menjëhershëm i ardhshëm do të kem një diskutim vijues me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi”, shkroi Lajçak në Facebook.

Ndryshe nga Lajçak, Qeveria ka njoftuar se Bislimi me diplomatin sllovak do flas “për ecjen përpara” me zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit/Ohrit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë një vit më parë.

“Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pret në takim ditën e nesërme, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin do të diskutohet për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”, ka njoftuar Kryeministria.

Çka ndodhi më 27 shkurt në Bruksel?

I pari që u deklarua pas takimit të mbajtur në Bruksel në fund të muajit të kaluar, ishte shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, njëherësh kryenegociator i palës serbe në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, Petar Petkoviç, i cili insistoi që diskutimet për këtë çështje të bëhen në nivel politik, derisa akuzoi palën kosovare për dëbim të serbëve nga Kosova.

Në një prononcim për gazetarë pas takimeve që u zhvilluan nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, kryenegociatori serb e cilësoi ndalimin e dinarit për transaksione me para të gatshme “vendim politik” të Kosovës, qëllimi i së cilës është “dëbimi i serbëve” nga territori kosovar.

Pas Petkoviç-it u deklarua edhe guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili i cili tha se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë, dhe asgjë tjetër.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse nëpër organet e partisë dhe para qytetarëve e ka paraqitur si “sukses” të qeverisë së tij ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës, ka thënë – çuditërisht – se nuk ka qenë fare në dijeni të këtij vendimi që është marrë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

“Më 27 dhjetor të vitit të kaluar Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për këtë rregullore të re, për t’i luftuar aktivitetet e paligjshme dhe bënë mirë. Nuk kisha ide se do ta sjellin këtë vendim, apo se do ta hartojnë këtë rregullore (për ndalimin e dinarit)”, deklaroi ai.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore tё Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti i këtij viti, kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Të ngjashme