Lajme
Rreziqet e ekonomisë globale: Stagflacioni, refugjatët dhe izolimet
Demokracia
14:04 | 21 Mars 2022

Share:

Ky supozohej të ishte viti gjatë të cilit ekonomia botërore do të rimëkëmbej nga pasojat e Covid-19.

Deri në fund të vitit 2022, pritshmëritë zyrtare ishin që ekonomia amerikane, ekonomitë e Europës dhe ajo e Kinës do të ktheheshin pothuajse në nivelet ku ndodheshin përpara fillimit të pandemisë. Ekonomitë e tjera në zhvillim do të mbeteshin më mbrapa, por edhe ato do të rriteshin me ritme të shpejta dhe dalëngadalë do të ktheheshin në normalitet.

Inflacioni sigurisht që ishte një problem, tha FMN në vlerësimin e saj të tetorit, por rritja e shpejtë e çmimeve “do të ulej gradualisht pasi çekuilibrat e kërkesë-ofertës do të zvogëloheshin në vitin 2022 dhe pritej që të vinte përgjigjja e politikave monetare tek ekonomitë e mëdha”.

FMN nuk u tregua naive. Ajo i përfshiu rreziqet gjeopolitike dhe atë të pandemisë në vlerësimin e saj, por shpresonte se këto risqe do të evitoheshin. Por, pas vetëm tre muajve të parë të vitit 2022, këto paralajmërime janë bërë realitet dhe ekonomia globale po përballet tani me rrezikun e një përkeqësimi të konsiderueshëm.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka sjellë një tronditje të rëndë stagflacioniste, duke rritur çmimet për shkak të kërcënimit të furnizimit me energji dhe për shkak të tkurrjes së të ardhurave të familjeve dhe të bizneseve si pasojë e shtrenjtimit të produkteve bazë.

Duke qenë se kjo është lufta më e madhe në Europë për gati 80 vjet, kërcënimi i përshkallëzimit të saj minon besimin e konsumatorëve për të shpenzuar. Europës do t’i duhet të përballet me një fluks edhe më të madh refugjatësh se ai i vitit 2015. Rikthimi i koronavirusit në Kinë kërcënon përsëri zinxhirët e furnizimit global, duke ushtruar një presion rritës mbi çmimet dhe duke ndikuar në rënien e prodhimit.

Të gjitha këto zhvillime minojnë perspektivën ekonomike globale. Ato kanë sjellë një situatë aq të pasigurt, sa edhe Mathias Cormann, kreu i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, tha këtë javë se organizata “nuk ishte në gjendje të paraqesë” perspektivën e saj të zakonshme për ekonominë globale.

Nathan Sheets, kryeekonomist global në Citi dhe ish-zyrtar i Departamentit të Thesarit në SHBA, ishte më i gatshëm të jepte një vlerësim të përafërt mbi dëmin e mundshëm të shkaktuar në ekonominë globale. Para luftës, rritja globale pritej të ishte rreth shifrës 5 për qind në vitin 2022, por Sheets mendon se “nëse tensionet në Ukrainë zgjaten ose përshkallëzohen më tej, reduktimi i perspektivës së rritjes për këtë vit mund të shprehet edhe në pikë përqindjeje”.

Në të gjithë botën, politikëbërësit kanë ndërmarrë veprime konkrete dhe kanë bërë vlerësime më të zymta për vitin 2022. Pak më shumë se një muaj më parë, Christine Lagarde, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, paraqiti një pamje optimiste për perspektivën e eurozonës, duke parashikuar se “rritja ekonomike do të rimëkëmbet fuqishëm”, por këtë javë ajo ndryshoi mendimin e saj, duke thënë se ngjarjet e fundit “paraqesin rreziqe të rëndësishme për rritjen ekonomike”.

I shqetësuar për rritjen e inflacionit në SHBA, kryetari i Rezervës Federale, Jay Powell, filloi me një seri rritjesh të normave të interesit, duke thënë se ishte “i vetëdijshëm për nevojën për ta kthyer ekonominë në stabilitetin e çmimeve dhe ishte i vendosur për të përdorur mjetet në dispozicion për të bërë pikërisht këtë gjë”. Zyrtari më i lartë ekonomik i Kinës, Liu He, ishte mjaft i shqetësuar për situatën, aq sa bëri një deklaratë të rrallë të mërkurën, duke premtuar se qeveria do të “rriste ekonominë në tremujorin e parë”, si dhe do të prezantonte “politika të favorshme për tregun”.

Duke qenë më afër Ukrainës, si gjeografikisht ashtu dhe ekonomikisht, ekonomia e Europës do të preket më shumë nga situata e luftës. Megjithëse Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik nuk bëri parashikime, ajo publikoi një simulim të efekteve të mundshme të luftës dhe të ndryshimeve të çmimeve të mallrave që do të zgjasin gjatë gjithë vitit. Ky simulim tregoi një rënie të rritjes ekonomike pothuajse dy herë më të madhe në eurozonë se sa në SHBA. “Ka një ndryshim të dukshëm midis çmimeve të gazit amerikan dhe të atij rus. Tronditja është më e madhe në Europë, pasi ajo ka shumë më tepër varësi nga gazi rus,” thotë Laurence Boone, kryeekonomiste në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Organizata simuloi një goditje prej 1.4 pikë përqindjeje në ekonominë e Europës për vitin 2022, duke u bazuar tek efektet e deritanishme, por zyrtarët janë të shqetësuar se kjo shifër nënvlerëson ndikimin e vërtetë ekonomik. Megjithëse çmimet e naftës kanë rënë këtë javë, pjesërisht si rezultat i një perspektive më të keqe ekonomike globale, zyrtarët nuk duken shumë optimistë nga këto zhvillime.

Duke folur për Financial Times, një zyrtar i lartë ekonomik europian ishte i shqetësuar për “një ndikim vërtet të madh te besimi” i familjeve dhe kompanive, pasi filluan të ndjeheshin pasojat e vërteta të veprimeve të Rusisë dhe të ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit në Europë.

Zyrtari shtoi se konflikti do të sillte nevojën për një solidaritet më të madh nga të gjitha vendet europiane për Poloninë dhe vendet e tjera të Europës Lindore, të cilat po përballen me barrën më të madhe për strehimin dhe mbështetjen e 3 milionë refugjatëve që kanë kaluar kufirin ukrainas, si dhe për miliona refugjatë të tjerë që priten të vijnë në të ardhmen.

Të ngjashme