Lajme
Rrahmani pas vendimit të Supremes: Gjykatat për dikë janë bërë nënë dhe për dikë njerkë
Demokracia
19:08 | 29 Janar 2021

Share:

Kandidat për deputet nga Partia e Ashkalive për Integrim (PAI), Qazim Rrahmani, ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme për mospërfshirjen e tij në listën e kandidatëve për deputetë është politik dhe nuk është i drejtë.

Rrahmani në Klan Kosova ka deklaruar se vendimet dhe ligjet në Kosovë respektohen vetëm për të dobëtit dhe jo për të fortët.

“Me këtë vendim është duke u parë që në gjykatat e Kosovës kanë hyrë duart e politikës, gjykatat për dikë janë bërë nënë dhe për dikë njerk. Mendoj që këto institucione të drejtësisë në Kosovë apo edhe KQZ-ja, janë të ndikuar nga politika dhe ajo po vendos që dikë ta eliminojë nga politika dhe dikujt t’i jap favore. Në këtë vend mendoj se aspekti i ligjit respektohet vetëm për të dobëtit dhe për të fortit jo”.

Rrahmani ka treguar se për cilën arsye nuk iu është mundësuar kandidimi dhe ka thënë se vendimin e Supremes do ta respektojnë.

“Kemi pas vërejtjeje gjyqësore për një konflikt verbal, ka qenë vërejtje gjyqësore që nuk krijon pasoja juridike. Ky është vendim, ne do ta respektojmë si të tillë, në Kosovë po shihet se drejtësi nuk ka. Këtu është një vijë politike dhe një maskarallëk juridik që është duke ndodhur në Kosovë. Vet vendimi i Gjykatës Kushtetues është jo kushtetues, dhe jo të jep urdhër që të mbahen zgjedhjet”.

Ai ka thënë se nëse i pamundësohet partisë së tij pjesëmarrja në këto zgjedhje, ata do ta vazhdojnë punën e tyre jashtë për komunitetin ashkali duke dhënë kritika se ata nuk ndihmohen sa duhet nga Qeveria.

“Angazhimi im për subjektin politik nuk do të ndalet, do të vazhdojë edhe njëherë më shumë. Unë mendoj edhe nëse nuk i zëvendësojnë kandidatët tanë, ne do të jemi triumfues”.

 

“Programi ynë është për padrejtësitë që janë duke u bërë ashkalinjve në Kosovë. Pa zërin tonë në institucione jeta e ashkalinjve nuk ndryshon”, ka thënë Rrahmani.

Të ngjashme