Sport
Rodrigo De Paul, një përforcim titulli për mesfushën e Juventusit në janar
Demokracia
16:37 | 25 Tetor 2023

Share:

Te Juventusi ka një plan afatshkurtër për merkaton. Synohet përforcimi i mesfushës në garën për titullin kampion të Serisë A. Pa Pol Pogba dhe Nikolo Faxhioli, respektivisht jashtë për doping dhe baste, mesfusha e Juventusit është reduktuar.

Sipas ‘Tuttosport’, në janar Xhuntoli kërkon ta përforcojë këtë repart, duke sjellë Rodrigo De Paul në Torino. Argjentinasi ka qenë në shënjestër të Juventusit në verë. Ish-lojtari i Udinezes shihet si njeriu i duhur për t’i dhënë kualitet mesfushës bardhezi. Alegri kështu do të ketë mundësinë për të bërë edhe rotacion.

De Paul mbeti tek Atletiko Madrid, pavarësisht sirenave arabe. Ai është një rezervë luksi te spanjollët. Ideja e trasferimit te Juventusi mund të jetë një rast ideal që ai të tregojë sërish vlerat e tij në një kontekst tjetër. Mbi të gjitha në kushtet e duhura, me stimulin e duhur.

Vërtet Arabia thërret dhe paguan shumë të mëdha, por është e vërtetë edhe që Juventusi vazhdon të ketë një peshë të rëndësishme në futbollin europian, pavarësisht mungesës në kupa. Formula e mundshme e De Paul te Juventus në merkaton e janarit është ajo e zakonshmja: huazim me të drejtën e blerjes në fund të sezonit.

Rodrigo De Paul është një mesfushor dinamik dhe teknik. Di që të thyejë aksionet dhe të shkojë në mbështetje të sulmuesve për të konkluduar në portë, duke shfrytëzuar depërtimet nga prapa. Është një lojtar sasie dhe cilësie, me më shumë se 50 gola në karrierë.

Të ngjashme