Lajme
Rikthehen sulmet e pushtetit të Kurtit mbi Lajçakun, Gërvalla e akuzon për dështim të dialogut
Demokracia
11:25 | 19 Janar 2024

Share:

Eksponentë të ndryshëm të partisë në pushtet, herë pas here nisin cikle sulmesh ndaj ndërmjetësit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. 

Kësaj here është ministrja Donika Gërvalla, ajo që mbrëmë në televizionin publik e ka bërë një sulm të tillë, shkruan Demokracia.com.

Gërvalla tha se ndërmjetësi për dialog, Miroslav Lajçak, është i dështuar.

“Ai ka hyrë pa strategji dhe pa vizion në këtë proces të dialogut dhe si duket, i tillë do të largohet nga ky dialog kur t’i skadon mandati”, tha ajo për RTK.

Sipas saj, premtimet që i janë bërë Kosovës nuk e kanë pasur vlerë as 24 orë, deri sa ka shkuar Lajçaku në Beograd.

“Banjska është dëshmia më e mirë që Lajçaku e ka dështuar gjithë procesin e dialogut”, tha Gërvalla.

Kryediplomatja ka deklaruar se nuk e fsheh që drafti i Asociacionit nuk është i mirë.

Ajo tha se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë jo vetëm të padrejta, por totalisht të pakuptueshme.

“Jo vetëm për ne, por për një pjesë të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, ata nuk po dinë t’i heqin, sepse nuk po dinë se për çfarë i kanë vënë”, tha ajo.

Gërvalla ka folur edhe rreth vlerësimeve nga BE-ja për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjkë.

“Ka pasur vlerësime të ndryshme nga ana e institucioneve të BE-së, të cilat kanë çuar në një vlerësim të gabuar të asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë. Fakti që BE-ja, edhe pas deklaratave e rezolutave të Parlamentit Evropian, edhe pas deklaratave të ndryshme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, BE-ja si institucion pra, ajo pjesë e institucioneve të BE-së, që merret me politikën e jashtme të BE-së, konkretisht zyra e Borellit, nuk kanë arritur të japin verdiktin për atë që ka ndodhur në Banjskë”, tha ajo.

Lajçak ishte sulmuar edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai muaj më parë akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti më 18 shtator tha se në raundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kurti tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me Lajçakun për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

“Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që tash e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de-facto”, tha Kurti.

Pas dështimit të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ku kryeministri Kurti refuzoi propozimin e BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksin e saj të Ohrit, ai drejtoi akuza të rënda në adresë të ndërmjetësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak, për anshmëri dhe favorizim të Serbisë. Sipas Kurtit, Lajçak “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës”.

Kjo ka mjaftuar që kryeministri Kurti të paraqesë kërkesën publike, të cilën e ka dërguar edhe në Uashington, Bruksel, Paris, Berlin e Romë, se “neve nuk na duhet një ndërmjetësim i tillë, i njëanshëm, aspak neutral e korrekt, i cili shkon kundër Marrëveshjes Bazike, siç ka ndodhur me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak tani”. /Demokracia.com/

Grenelli, Blinkeni, Eskobari, Lajçaku | Si i sulmoi Albin Kurti me radhë përfaqësuesit e ShBA-së dhe BE-së?

Të ngjashme