Lajme
Rikthehen grevat
Demokracia
08:15 | 25 Gusht 2022

Share:

Nga Sindikata për Arsim kanë paralajmëruar se do të ketë grevë deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve.

Mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore nga sot (25 gusht) hyjnë në grevë. Por, nga Qeveria kanë thënë se tani nuk është koha për greva, pasi së fundmi është hartuar Projektligji për pagat.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

“Neve na duhen këto 100 euro edhe duke pasur parasysh pagat e vogla që ne kemi, por edhe nivelin e lartë të inflacionit në Kosovë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mimoza Fazliu, mësuese në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

Paga bazë e një mësimdhënësi në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta është 470 euro.

“Jo më shumë, 100 euro modeste që të përballemi më lehtë me çmimet që po rriten çdo ditë”, thotë edhe Rrahman Jasharaj, nga këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Për 100 euro shtesë deri në miratimin e legjislacionit për pagat, por edhe për kërkesa të tjera, sindikalistët kishin protestuar më 8 prill të këtij viti.

Derisa në muajin maj, në disa institucione publike siç janë ato të arsimit, administrata publike, energjetika, dogana, kishin mbajtur grevë njëorëshe gjatë paradites.

Qeveria e Kosovës disa ditë më vonë, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, kishte vendosur të ndante nga 100 euro shtesë për muajin prill, ndër të tjerë, edhe për punëtorët në sektorin publik dhe privat.

Por, këto mjete sipas sindikatave të punëtorëve ishin të pamjaftueshme për të zbutuar gjendjen e rënduar ekonomike të punëtorëve nga ngritja e çmimeve të konsumit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova po përballet me një inflacion të lartë.

Norma e inflacionit në muajin korrik ka arritur në 14.2 për qind, nga 0.9 për qind sa ka qenë në korrik të vitit të kaluar.

Rritja e çmimeve ka nisur nga viti i kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov, pastaj, u ka dhënë edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila ka nisur më 24 shkurt.

Greva në arsim mbyllet kur “realizohen kërkesat”

Sipas Rrahman Jasharajt, përfaqësuesit e këshillit grevist të secilës sindikatë, do të vendosin për mënyrën e organizimit të grevës.

Por, në arsim, aty ku Jasharaj është kryetar i sindikatës, thotë se të gjithë të punësuarit – mësimdhënësit dhe edukatorët e kopshteve – do të dalin në punë nga ora 09:00 deri në 12:00, por nuk do të punojnë.

“Mësim nuk do ketë derisa nuk mbyllet greva. Greva mbyllet vetëm atëherë kur realizohen kërkesat”, thotë ai.

Jasharaj shton se grevën e kanë përkrahur edhe të policët, zjarrfikësit, por në bazë të Ligjit për greva, ata nuk kanë të drejtë të organizojnë atë.

Këshilli grevist i BSPK-së po kërkon nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të marrë parasysh kërkesat e tyre.

“Të marrë vendim kryeministri të plotësojë kërkesën për ndarje të 100 eurove, e pastaj të fillohet të bashkëpunohet për Projektligjin për pagat”, thotë Jasharaj.

Ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar Projektligjin për pagat.

Ky legjislacion duhet që fillimisht të kalojë procedurat e konsultimeve paraprake e publike, dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, të publikohet në Gazetën Zyrtare të Kosovës.

Në projektligj, një kopje të së cilit e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, thuhet se ai hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Megjithatë, Jasharaj thotë se ata nuk mund të presin deri në hyrjen në fuqi të këtij legjislacioni. Sipas tij, në rrethanat më të mira, ai projektligj nuk mund të fillojë të zbatohet para 16 muajve.

Kurti: Nuk është koha për greva

Por, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas procedimit të Projektligjit për paga “greva e sindikatave ka humbur kuptimin”.

Gjatë një konference për media në Prishtinë më 24 gusht, Kurti tha se është informuar me kërkesat e punëtorëve.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash që Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë, është gabim. Nuk është koha për grevë është koha për punë, është koha që sindikatat t’i bëjnë komentet e tyre për Projektligjin për pagat”, u shpreh Kurti.

Dialog social për zgjidhje të problemeve

Ndërkaq, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë thonë se që të shmanget paralizimi i institucioneve, është i nevojshëm dialogu social midis Qeverisë dhe sindikatave.

Gersi Gashi, drejtor i hulumtimeve dhe zhvillimeve në Qendrën për Politika dhe Avokim në Prishtinë, thotë se paralajmërimi për grevë i shumë sindikatave të punëtorëve është shqetësues, pasi që mund të paralizojë një pjesë të madhe të shërbimeve.

Ai thotë se ekzekutivi dhe sindikatat duhet të bisedojnë për të gjetur zgjidhje për këtë situatë.

“Është shqetësuese që nuk ka dialog social. Nuk kemi parë një dialog social që është duke u zhvilluar. Kemi parë sindikata që kanë paraqitur kërkesat në mënyrë të njëanshme dhe kemi parë një qeveri e cila në ndonjë rast është përgjigjur se nuk mund të përmbushen këto kërkesa ose nuk ka pasur përgjigje”, thotë Gashi.

Kërkesat e tjera të sindikalistëve

Përveç 100 eurove shtesë për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për pagat, sindikalistët kanë edhe kërkesa të tjera për të cilat po hyjnë në grevë.

Ata po kërkojnë zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore. Ky ligj është miratuar më 2014, por asnjëherë nuk është zbatuar për askënd.

Zbatimi i ligjit ishte parashikuar që t’i paraprinte një periudhë gjashtëmujore për mbledhjen e fondeve. Mbledhja e fondeve ishte paraparë që të niste më 1 korrik të vitit 2017.

Atëbotë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

Prej atëherë çështja e sigurimeve shëndetësore ka mbetur pezull.

Kërkesa e tjetër e sindikalistëve është që të ndryshohet Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, përkatësisht, të ndryshohet neni ku kërkohet që të ketë 15 vjet kontribute pensionale para 1 janarit të vitit 1999.

Para këtij viti, të gjithë qytetarët që kanë pasur kontribute pensionale, të njëjtat nuk iu figurojnë pasi Serbia që nga përfundimi i luftës ende nuk i ka kompensuar ato kontribute ndaj qytetarëve të Kosovës.

Sipas ligjit aktual të pensioneve, çdo person që mbush 65 vjet, e që ka qenë kontribut-pagues, duhet të dëshmojë pagesën e kontributeve para datës së vitit 1999. Nëse nuk arrijnë të dëshmojnë se kanë pasur kontribut 15 vjet para 1 janarit të vitit 1999, ata nuk e gëzojnë të drejtën e pensionit kontribut-pagues, por vetëm marrin pensionin e moshës.

Ndryshe, numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83.000.

Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ishte 484 euro.

Të ngjashme