Lajme
Rikthehen 57 të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë
Demokracia
15:41 | 24 Shkurt 2024

Share:

Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë para disa ditësh u përfshi nga zjarri, e për shkak të kësaj të moshuarit u detyruan të largohen dhe të vendosen në një hotel.

Por, pas sanimit të dëmeve dhe pastrimit të shtëpisë, tashmë të moshuarit janë kthyer në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin e ka konfirmuar Adeline Sahiti, Drejtoreshë e Mirëqenies Sociale.

“Për shkak të një zjarri të shkaktuar nga një banor i shtëpisë jemi detyruar për shkaqe të sigurisë së tyre t’i largojmë nga aty. Për fat të mirë asnjë nga banoret( 57 sosh) nuk kane pësuar ndonjë lëndim. Pas dy ditësh, pas pastrimit gjeneral dhe sanimit të dëmeve nga NPB, banorët janë rikthyer sërish në Shtëpinë e të Moshuarve. Gjendja e tyre është e mirë dhe tashmë po vazhdon rutina që ka përcjell çdo dite tjetër”, u shpreh ajo.

Ndryshe, policia kishte konfirmuar incidentin me zjarr, duke njoftuar se në vendngjarje kishin dalë zjarrfikësit.

“Sot rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën “Afrim Loxha” në Prishtinë, saktësisht në shtëpinë e pleqve. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Zjarri është lokalizuar dhe bazuar në informatat e deritanishme, raportohet për persona që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vështirësisë së frymëmarrjes nga tymi”, kishte deklaruar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

Në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ai kishte thënë se dyshohet se nga ndezja e një cigare nga një i moshuar është djegur një batanije ku më pas zjarri është përhapur.

Të ngjashme