Lajme
Rexha: Vendimi i MINT-it politik, mesazh frikësues për mediat tjera
Demokracia
09:37 | 16 Qershor 2023

Share:

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka kritikuar ashpër vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaj Klan Kosovës, gjegjësisht për pezullimin e certifikatës së biznesit në ARBK.

Në Rubikon me Adriatik Kelmendin, ai tha se vendimi është politik.

“Është vendim brutal, i paprecedent, i dënueshëm dhe në fund të ditës, siç e kemi thënë, absolutisht politik. Në fakt edhe ky gabimi që doli që i janë referuar gabimisht Ligjit, tregon se vendimi është përgatitur tash e një kohë dhe është marrë për të pasur efekt politik”.

“Kjo çfarë ka ndodhur dje me Klan Kosovën është vetëm kulmi i vështirësimit të klimës të të bërit gazetari dhe funksionimit të mediave në dy vitet e fundit. Qeveria Kurti dhe partia politike në pushtet, kanë qenë të angazhuara aktivisht për t’i denigruar gazetarët dhe mediat për t’i prezantuar ato që punojnë kundër interesave kombëtare të Kosovës. Është një mesazh frikësues edhe për mediat tjera si precedent, pra nëse procedura shkon tutje kundër Klan Kosovës, dhe ne në asnjë moment nuk prisnim që në Kosovë në vitin 2023 të kishim një intencë të tillë nga një qeveri në pushtet që të provojë të mbyllë një media ose të shkaktojë një tjetër dëm, sepse dëmi tashmë është shkaktuar”, deklaroi Rexha.

Ndër të tjera, ai tha se vendimi i Qeverisë i ka nxitur komentuesit online që të sulmojnë gazetarët e Klan Kosovës.

“Komentet që i shoh, shtytja që ky vendim i qeverisë ka dhënë tek njerëzit për të sulmuar gazetarët e Klan Kosovës, online po flasim, pra në secilin postim të gazetarëve të Klan Kosovës ka komente pa fund, ka vendosje të flamujve të Serbisë, me idenë që e krijoi Qeveria që Klan Kosova punon për interesa të Serbisë. Kjo është absolutisht e rrezikshme, dhe ne menjëherë kemi alarmuar edhe prezencën ndërkombëtare në Kosovë, edhe organizatat tona partnere”.

Kreu i AGK-së tha se veç Federatës Evropiane të Gazetarëve, nesër do të ketë reagime edhe nga organizata që vijnë nga kontinente tjera, e organizata këto partnere të AGK-së për lirinë e medias.

“Federata Evropiane e Gazetarëve, që përfaqëson gazetarët e të gjithë Evropës, ka pasur një reagim të fuqishëm, por nesër do të ketë reagime edhe nga kontinente tjera, në fakt nga organizata partnere të AGK-së për lirinë e medias, për të denoncuar në mënyrën më të ashpër këtë veprim të qeverisë së Kosovës”, theksoi Xhemajl Rexha.

Të ngjashme