Lajme
Kundërpërgjigje ndaj Spanjës, a po paralajmëron Izraeli njohjen e Katalonisë si shtet?
Demokracia
14:24 | 22 Maj 2024

Share:

Izraeli ka reaguar ashpër pas njoftimit të Spanjës se javën e ardhshme do të njohë një shtet palestinez. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, shprehu një paralajmërim të tërthortë, të cilin Spanja mund ta ketë kuptuar qartë.

Mediat u përqendruan te njoftimi i kryediplomatit izaelit, Israel Katz, për tërheqjen e menjëhershme të ambasadorëve izraelitë në Norvegji dhe Irlandë për konsultime pas vendimit të këtyre shteteve për të njohur një shtet palestinez, raporton gazeta Nacionale.

Megjithatë, në të njëjtin reagim të publikuar në rrjetin X, ministri Katz pati një paralajmërim për një shtet tjetër Evropian – Spanjën – kryeministri i së cilës gjithashtu njoftoi të mërkurën se vendi i tij do të njohë një shtet palestinez.

“Izraeli nuk do të qëndrojë i heshtur – do të ketë pasoja të ashpra të mëtejme. Nëse Spanja vazhdon në qëllimin e saj për të njohur një shtet palestinez, një hap i ngjashëm do të merret kundër saj” – shkroi ministri i Jashtëm i Izraelit.

Spanja për një kohë të gjatë është ballafaquar me kërkesën e Katalonjës për pavarësi. Paralajmërimi i ministrit izraelit mund të ndërlidhet me njohjen e mundshme të këtij rajoni nga Izraeli.

“Marrëzia irlandezo-norvegjeze nuk na frenon; ne jemi të vendosur për t’i arritur qëllimet tona: rikthimi i sigurisë për qytetarët tanë, çmontimi i Hamasit dhe sjellja e pengjeve në shtëpi. Nuk ka kauza më të drejta se këto” – shkroi në fund Katzi.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, njoftoitë mërkurën se vendi i tij do ta njohë Palestinën më 28 maj.

“Ne do ta njohim Palestinën për shumë arsye dhe këtë mund ta përmbledhim në tri fjalë: paqe, drejtësi dhe konsistencë” – tha kryeministri spanjoll, transmeton Nacionale.

“Ne duket të sigurohemi që zgjidhja me dy shtete respektohet dhe duhet të ketë garanci reciproke të sigurisë” – shtoi ai.

“Është thelbësore që të dyja palët të bisedojnë për paqe dhe për këtë arsye ne e njohim Palestinën” – tha më tej Sanchez-i.

Të ngjashme