Lajme
Reagon kryeministrja serbe: Kurti është për opsionin “jo” në referendum!
Demokracia
20:57 | 15 Janar 2022

Share:

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka deklaruar sonte, pas vendimit të institucioneve të Republikës së Kosovës që ndalon mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, se kryeministri kosovar Albin Kurti ka treguar se është qartë për opsionin “jo” në referendum, pasi që serbët në Kosovë do të votojnë për “po” dhe me këtë do të forconin Serbinë, transmeton Demokracia.com.

“Është e qartë se Kurti do të ishte tejet i lumtur që nesër të fitonte opsioni ‘jo’, pasi që është e qartë që serbët në Kosovë votojnë për ‘po’, për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, për sundimin e ligjit, për Serbinë më të fuqishme”, ka thënë Bërnabiq për televizionin publik serb.

Sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Me 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti.

Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.

Rezoluta u propozua nga katër grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupit Multientik. Partia Demokratike në opozitë nuk mori pjesë në seancë.

Rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik./Demokracia.com/

 

 

 

Të ngjashme