Lajme
Reagimi komik i Postës së Kosovës ndaj Demokracia.com: I keni dërguar pyetjet në “Junk mail”
Demokracia
16:01 | 07 Prill 2022

Share:

Posta e Kosovës, përveç që ka probleme me mitmarrje të punonjësve të saj, duket se probleme ka edhe me komunikimin me publikun.

Tri ditë pas publikimit të artikullit “DOKUMENT| Inspektori i Postës dyshohet se mori 2800 euro nga sportelisti për serrë bujqësore” në Demokracia.com, ka reaguar edhe Posta e Kosovës.

Megjithatë, ka pjesë në këtë reagim që janë edhe komike, veçanërisht pjesa ku pretendohet se Demokracia.com ua ka dërguar atyre pyetjet në “Junk mail” dhe nuk i ka pritur përgjigjet, përkundër që artikulli ishte publikuar pas orës 17:00, pasi që gjatë orarit të rregullt të punës kishte pritur për përgjigjet e Postës së Kosovës.

Demokracia.com në këtë artikull kishte publikuar dokumente autentike sesi një sportelist i Postës të Kosovës së bashku me një inspektor dyshoheshin se ishin përfshirë në mitmarrje, rast ky që tashmë është duke u hetuar edhe nga organet e drejtësisë.

Demokracia.com kishte siguruar një korrespodencë të zyrtarëve të Postës së Kosovës rreth kësaj çështjeje.

Po ashtu, Demokracia.com kishte siguruar më herët edhe një korrespodencë të zyrtarëve të Postës së Kosovës.

Komisioni Disiplinor kishte mbajtur një mbledhje më 28 janar 2022, ku ishte bërë edhe denoncimi nga ana e një zyrtari lidhur me mitmarrjen e një inspektori postar.

Lidhur më këtë ishte njoftuar edhe U.D. Kryeshefja e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, e cila u ishte përgjigjur duke theksuar se inicimet e pabazuara mund të kenë pasoja.

Ky është reagimi i plotë i Postës së Kosovës ndaj artikullit të Demokracia.com:

E nderuara Redaksi,

Posta e Kosovës Sh.A., reagon ndaj artikullit të portalit Demokracia.com, të publikuar të hënën me dt. 04.04.2022, me titull: “ Inspektori i Postës dyshohet se mori 2800 euro nga sportelisti për serrë bujqësore”, ndërsa demantojmë pjesën e lajmit ku thuhet: “Ndërkohë, kryeshefja Fakate Kadiu, fillimisht kishte hezituar që ta adresonte këtë rast te organet e hetuesisë, duke kërkuar fakte” “Demokracia.com ka dërguar pyetje edhe në Postën e Kosovës për të ditur nëse U.D. kryeshefja Fakete Kadiu dhe dy të përfshirët në këtë rast janë pyetur nga organet e drejtësisë dhe nëse janë suspenduar nga detyra të dy zyrtarët, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur”

Menaxhmenti i Postës së Kosovës, për herë të dytë lidhur me këtë çështje njofton opinionin e gjerë publik se kurrfarë fshehje ndaj hetuesisë nuk ka bërë U.D. Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, lidhur me pretendimet e dyshuara të mitmarrjes të punonjësve tanë, siç thoni në artikujt e juaj.

Portali Demokracia.com, ka dërguar pyetje në adresën e Postës së Kosovës në Junk mail, ndërsa në të njëjtën ditë ka publikuar lajmin pa pritur fare përgjigjet tona zyrtare, si dhe pa asnjë kontakt të çfarëdo forme të komunikimit zyrtar me personat kompetent për marrëdhënie me mediat. Prandaj me keqardhje por me fakte e themi se ky portal me këto artikuj tendencioz po e dëmton edhe procesin e hetimeve, por edhe ndërmarrjen tonë publike, e cila gjithmonë ka qenë e hapur për media.

Ju lutem, komunikoni me Postën e Kosovës sikur të gjitha mediat tjera, ashtu siç ju kemi dërguar Sqarimin me shkrim me dt. 03.02.2022, andaj ju ftojmë që përmes komunikimit të shkruar t’i parashtroni kërkesat tuaja në përputhje me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Me respekt, Posta e Kosovës Sh.A. Prishtinë. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

DOKUMENT| Inspektori i Postës dyshohet se mori 2800 euro nga sportelisti për serrë bujqësore

Të ngjashme