Lajme
DOKUMENT| Inspektori i Postës dyshohet se mori 2800 euro nga sportelisti për serrë bujqësore
Demokracia
17:10 | 04 Prill 2022

Share:

Një sportelist i Postës të Kosovës së bashku me një inspektor dyshohet se janë përfshirë në mitmarrje. Rasti tashmë është duke u hetuar nga organet e drejtësisë.

Demokracia.com kishte siguruar një korrespodencë të zyrtarëve të Postës së Kosovës rreth kësaj çështjeje.

Komisioni Disiplinor kishte mbajtur një mbledhje më 28 janar 2022, ku ishte bërë edhe denoncimi nga ana e një zyrtari lidhur me mitmarrjen e një inspektori postar.

Ndërkohë, kryeshefja Fakate Kadiu, fillimisht kishte hezituar që ta adresonte këtë rast te organet e hetuesisë, duke kërkuar fakte.

Për të marrë një grant prej 10 mijë eurove për 10 ari tokë, Skender Shoshit, punëtorit të Postës të Kosovës, dyshohet se iu desh që t’ia japë 2 mijë e 800 euro ryshfet inspektorit Shefqet Fazliu.

Demokracia.com ka siguruar deklaratën të cilën me shkrim e kishte shkruar Shoshi, që e vërtetonte këtë gjë.

Deklarata e Shoshit pa ndërhyrje:

“Unë Skender Shoshi puntori i postës në telekom punoj sportelist. Deklaroj se disa herë inspektori Sh. Fazliu ka marr kartelë dhe sim gjatë inspektimit dhe nuk mi ka paguar. Deklaroj se nga unë i ka marr 2800 euro përë mem nimue përë një serë buqsore. Skender Shoshi. P. Banjë 31010”.

Me të kuptuar këtë deklaratë të Shoshit dhe pasi që tashmë ishte kuptuar në Postë çështja e mitmarrjes, inspektori Shefqet Fazliu kishte përgatitur një deklaratë për Shoshin, në të cilën do të mohoheshin të gjitha pretendimet e tij.

Demokracia.com ka siguruar edhe këtë deklaratë, të cilën Shoshi nuk e ka plotësuar dhe e ka lënë të zbrazët.

Deklarata që dyshohet se ishte përgatitur nga inspektori Fazliu pa ndërhyrje:

“Deklaroi me pergjegjegjesi te plote se ka shume kohe qe une e njoh inspektorin Shefqet Fazliu dhe nga ai asnjeher une nuk kam pasur asnje te keqe e ase nuk i kam dhene te holla dhe ase marr ne emer te faljes ne pune apo ndonje sherbimi tjeter. Nga inspektori ne jemi kontrolluar ne punet tona mirpo nga ai gjithmone jemi kshilluar dhe udhezuar se si ti kryejme punet dhe detyrat tona te perditshme ne Posten Banja e Pejes. Andaj me shume pergjegjesi deklaroi se une asnjeher nuk i kam dhene te holla ne emer te mitos inspektorit postar dhe mbaj pergjegjesi morale dhe penale per deklaraten time”.

Pas këtyre dëshmive, Demokracia.com ka kontaktuar Skënder Shoshin, i cili ka thënë se e gjithë kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2005 ose 2007 dhe se e tërë kjo është bërë me dëshirën e tij.

“Jo bac mos u merr me mu me ato. Ajo është kah herë moj ti. Ky inspektor i jemi është. Unë vetë i kom dhanë ato për shembull për me ma nxjerrë një serë për bujqësi është konë fjala. Jo tjetër gjo s’ka. Unë vetë i kom qarros ato, pse. Unë vetë i kom qarros ato, nuk është ajo diçka si është kritike. Në koftë nevoja unë edhe qaty apët deklarojë, veçsi për mi nxjerr një serë u duftë me qarros atë njeri, kuptohet për çka për pare, jo që mi ka lyp kush, jo që mi ka lyp kërkush hiq. Ky u konë inspektori jem, kontrollori jem edhe qeshtu tu folë jemi marrë vesh na vetë, kurrgjë s’ka lidhje këtu hiq me këto sene tjera. Vlefta e serës u konë 10 mijë euro për 10 ari, do me thënë në 2005 ose 2007 e kemi marrë. Jo jo, e kom marrë 10 mijë euro pse me të rrejt, 2800 i kom dhanë. Jo jo kurrgjë, jo është marrëveshje mes neve dyve, vetë bre kom dashtë unë me e qarros, vetë qashtu. Kurrgjë s’ka aty hiq”, ka deklaruar Shoshi për Demokracia.com.

Skender Shoshi, punëtori i Postës

Ndërkaq, inspektori Shefqet Fazliu, nuk ka pranuar të flasë, pasi që rasti tashmë është duke u hetuar.

“Rasti është i lajmëruar në Polici, hetuesit merren me rastin. A ka mundësi, edhe s’ka informata tjera”, ka deklaruar shkurt Fazliu për Demokracia.com.

Inspektori Shefqet Fazliu

Në anën tjetër, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka deklaruar për Demokracia.com se rasti është duke u hetuar dhe për këtë arsye nuk mund të japin detaje shtesë.

“Ashtu siç ju njoftuam, prokuroria është duke e trajtuar këtë rast dhe meqenëse është duke u zhvilluar procedurë hetimore ndaj kësaj çështje penale, në këtë fazë nuk mund të japim informata shtesë me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve”, ka deklaruar Ulaj.

Demokracia.com ka dërguar pyetje edhe në Postën e Kosovës për të ditur nëse U.D. kryeshefja Fakete Kadiu dhe dy të përfshirët në këtë rast janë pyetur nga organet e drejtësisë dhe nëse janë suspenduar nga detyra të dy zyrtarët, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Demokracia.com më 1 shkurt të këtij viti e kishte publikuar artikullin në të cilin tregohej sesi U. D. kryeshefja Fakete Kadiu kishte hezituar ta adresonte fillimisht këtë rast te organet e drejtësisë. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:  DOKUMENTE | Kryeshefja e Postës fsheh nga organet e hetuesisë një rast të mitmarrjes

Të ngjashme