Lajme
Rasti Klan Kosova| Safe Journalists: Vendimi mbi pezullimin e licencës i pabazë, Gjykata t’a rrëzojë
Demokracia
15:07 | 29 Korrik 2023

Share:

Shqetësim të lartë ka shprehur Rrjeti i Gazetarëve “Safe Journalists” në lidhje me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullimin e licencës së biznesit të mediumit, Klan Kosova. Njësoj shprehet edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Nga SafeJournalists kanë vlerësuar se një vendim i tillë rrezikon dukshëm lirinë e medias. Nga ana tjetër, Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha e sheh këtë veprim si një luftë të hapur ndaj mediave. Megjithatë, ai mendon se në fund të fundit, me kalimin e rastit në gjykatë do të merret një vendim i drejtë.

“Rrjeti SafeJournalists dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) janë të alarmuar nga ky vendim. AJK mendon se ky vendim ka qenë i motivuar politikisht që në fillim nga partia në pushtet dhe qeveria e kryeministrit Kurti në përpjekjet e tyre për të rrëzuar kanalin më të madh privat të Kosovës. Ata konsiderojnë gjithashtu se ky vendim thekson sulmin e hapur dhe të paprecedentë të qeverisë ndaj mediave dhe shërben si sinjal se në shënjestër do të jenë edhe media të tjera. “Jemi krejtësisht të tronditur kur shohim Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti të shkojnë deri këtu, duke marrë vendimin për mbylljen efektive të Klan Kosovës. Ne e shohim atë si një përpjekje brutale për të minuar lirinë e mediave në Kosovë dhe si një luftë të hapur dhe të paprecedentë të kësaj qeverie kundër mediave në vend. Kemi frikë se vendimi për televizionin më të madh në Kosovë, është vetëm një paralajmërim për atë që mund të vijë për mediat tjera në të ardhmen, të cilat nuk i pëlqejnë partisë në pushtet. Me kalimin e rastit në gjykatë, besojmë se do të merret një vendim i drejtë që Klan Kosova të vazhdojë punën e saj të papenguar ”, tha Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së.”, thuhet në  artikull.

Rrjeti SafeJournalists u ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare gazetareske që ta dënojnë këtë veprim të autoriteteve të Kosovës gjersa një thirrje e ka ndarë edhe për Gjykatën.

“Rrjeti gjithashtu i bën thirrje gjykatës që të rrëzojë këtë vendim të pabazë të qeverisë dhe në këtë mënyrë tregon se mbron demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Gjatë së premtes, ishte Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e cila njoftoi se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi se Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka marrë vendimin e saj në përputhje me ligjin në momentin kur pezulloi certifikatën e biznesit për Klan Kosovën.

Të ngjashme