Lajme
Rasti Dehari| Kurti dhe Haxhiu përplasen në distancë, ai i kërkon përgjegjësi për mostrat, ajo e injoron
Demokracia
17:48 | 14 Mars 2023

Share:

Albin Kurti dhe ministrja e tij e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk janë të një mendjeje se kush janë fajtorët për zhdukjen e më pas gjetjen e mostrave të Astrit Deharit që ishin zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë në dhjetor të vitit 2022.

Përderisa kryeministri Kurti para mediave ka refuzuar të flasë lidhur me këtë çështje, duke thënë se duhet të drejtohen në Ministrinë e Drejtësisë, ministrja Haxhiu e ka injoruar deklaratën e tij duke thënë se për këtë përgjigje duhet të kërkohet në Prokurorinë Speciale, shkruan Demokracia.com

Kurti është pyetur nga gazetarët nëse janë gjetur mostrat, por i njëjti ka thënë se për këtë duhet të përgjigjet Ministria e Drejtësisë.

“Më besoni, Ministria e Drejtësisë duhet ta jap përgjigjen adekuate për këtë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, Haxhiu ka kërkuar që për zhdukjen e mostrave të Astrit Dehari, mediat t’i drejtohen Prokurorisë Speciale.

Sipas saj përgjigjja për këtë pyetje është në përgjegjësinë dhe kompetencat e Prokurorisë Speciale

“Ministria e Drejtësisë tashmë është përgjigjur. Ju lutëm të drejtoheni në Prokurorinë Speciale të Kosovës, siç e dini Prokuroria Speciale është duke e hetuar këtë rast. Personi apo autoriteti kompetent është Prokuroria Speciale ne kemi dhënë përgjigje për gjithçka që kanë pyetur mediat, nuk mund të flasim më shumë se sa që kemi thënë, pra është në duar të Prokurorisë Speciale”, tha ajo.

Ndryshe, institucionet kanë zgjedhur të heshtin lidhur me raportimet se janë gjetur një pjesë e mostrave të Astrit Deharit. Për zhdukjen e tyre pati njoftuar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, më 8 dhjetor të vitit të kaluar.

Tash e njëjta s’po deklarohet nëse janë gjetur apo jo.

Për raportimet e fundit rreth këtij rasti, heshtjen e kanë zgjedhur edhe Prokuroria Speciale./ Demokracia.com/

Të ngjashme