Lajme
Rama: Prej buxhetit prej 123 milionë eurosh, në fokus do të jenë projektet madhore
Demokracia
09:11 | 10 Tetor 2023

Share:

Në vitin 2024, Komuna e Prishtinës do t’i ketë në dispozicion 46 milionë euro për investime kapitale. Kështu ka bërë të ditur, kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama.

Rama ka thënë se krahas buxhetit prej 123 milionë euro, në fokus do të jenë projekte madhore. E si prioritet i Ramës për vitin 2024 është edhe përfundimi i “Rrugës A”, me ç’rast e quajti të rëndësishëm për Prishtinën.

Në një intervistë për Ekonomia Online, kreu i Prishtinës ka thënë se me ndërtimin e kësaj rruge, do të lidhen disa lagje e që pritet të kontribuojnë në shkarkimin e tollovisë në trafik.

“Buxhetin e kemi kaluar. Buxheti total i Kryeqytetit është mbi 123 milionë euro, ndërsa vetëm për investime kapitale është 46 milionë euro, pra e kemi një buxhet të mirë për vitin e ardhshëm me të cilin fokusi ynë është në projekte të mëdha. Pra kemi vazhdimin e ‘Rrugës A’, pra është një projekt madhor, projekti më i madh në historinë e Kryeqytetit, ku përveç që krijon rrugë të reja dhe të cilat e ndërlidh Veternikun me Prishtinën e Re dhe me Kalabrinë, pra tash lidhen më lehtë dhe ju mundëson qasje prindërve që vijnë dhe e shfrytëzojnë shkollën në qendër e që i bashkohen këtij kaosit në qendër. Pra do të kenë mundësi alternative”, ka thënë Rama.

E krahas ndërtimit të kësaj rruge, Rama ka thënë se po punohet në ndërtimin e disa shkollave në Kryeqytet.

“… paralelisht jemi duke ndërtuar edhe shkolla. Me partneritet publiko-privat, po ndërtojmë shkollën në Lagjen ‘Qëndresa’, Mati 1, Sofali dhe pesë shkolla tjera që janë në diskutim IFC-në pra edhe ato me partneritet publiko-privat”, u shpreh Rama.

Teksa ka folur për ndërtimin e rrugëve kryesore, Rama ka deklaruar se do të punohet edhe në zgjerimin e rrugës B e cila do të lidhet me rrugën A. E njëjta tha se do të ketë hyrje e dalje, pa pasur nevojë të shkohet në qendër.

“Po ashtu jemi edhe te rruga B, pra vazhdimësi e ndërtimit që do të lidhet me ‘Rrugën A’ dhe krijon një mundësi më të mirë që e gjithë rruga B të ketë hyrje dhe dalje nga qyteti në qytet, pra pa pasur nevojë që të kalojë nëpër qendër. Problemi me trafikun ka ekzistuar edhe më përpara dhe vazhdon të ekzistojë. Pra një numër i madh i ndërtimeve që kanë ndodhur si rezultat i rritjes së vrullshme të Kryeqytetit prej pasluftës. Ka qenë gjithashtu si rezultat i mungesës së investimeve kapitale në infrastrukturë të Kryeqytetit dhe tani normal që kemi probleme të cilat ballafaqohen me to sot”, ka deklaruar Rama për EO.

Të ngjashme