Lajme
Rama: BERZh ndau 23 milionë euro për ‘Solar4Kosovo’, Termokosi do të transformohet përmes energjisë diellore
Demokracia
10:57 | 09 Mars 2023

Share:

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se BERZh ka ndarë 23.2 milionë euro për projektin energjetik ‘Solar4Kosovo’.

Rama tha se kjo është një prej projekteve më të rëndësishme për Prishtinën. Sipas tij, falë këtij projekti, sistemi i ngrohjes në kryeqytet do të transformohet përmes energjisë diellore, duke ndikuar kështu dukshëm në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Faleminderit (EBRD) një nga partnerët tanë kryesor drejt #prishtinaegjelbër dhe Fisnik Osmani për punën e vazhdueshme në zgjerimin e rrjetit të ngrohtores Termokos në gjithë qytetin”, shkroi ai në Facebook.

Përndryshe, projekti energjetik “Solar4Kosovo” do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë.

Projekti do të jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK) ku me këtë projekt, sistemit të ngrohjes së Prishtinës do t’i shtohen rreth 70 MW dhe po ashtu përfshinë ndërtimin e kolektorëve diellorë prej përafërsisht 69.000 m2.

Me masat për zgjerimin e rrjetit synohet shpërndarja e ngrohjes nga sistemi termik diellor, në rrjetin e ngrohjes qendrore ku do të kyçen deri në 12.000 familje ose 60.000 banorë.

Projekti do të reduktojë kërkesën për energji elektrike për qëllime të ngrohjes dhe do ta rrisë cilësinë e ajrit, duke reduktuar emetimin e dioksidit të karbonit me rreth 40.000 t në vit.

Zyra e Kryeministrit kishte deklaruar marsin e 2022’s se projekti do të kushtojë 64 milionë euro dhe do të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Të ngjashme