Lajme
Rama: 28 Nëntori është kronika e betejave që i kemi zhvilluar
Demokracia
12:52 | 28 Nëntor 2023

Share:

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar shqiptarët për festen e 28 Nëntorit.

Ai ka thënë se 28 Nëntori është shumë më tepër se një datë kalendarike.

Në profilin e tij në “Facebook”, Rama ka shkruar se kjo datë është kronikë e betejave që i kemi zhvilluar.

“28 Nëntori, dita kur shpirti na kumbon me jehona prej historisë – të asaj historie të madhëruar me trimërinë e Skënderbeut, me vetëmohimin e stërgjyshëve tanë në vitin 1912, e me shpirtin e paepshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që doli publikisht pikërisht në ditën e 28 nëntorit të vitit ‘97. 28 Nëntori për ne është shumë më shumë sesa një tjetër datë në kalendar, sepse është testamenti i gjallë i qëndrueshmërisë sonë, është kronika e betejave që i kemi zhvilluar, është shpallje e pavarësisë dhe është festë e lirisë, që e kemi aq të shtrejtë”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, 28 Nëntori është manifestimi kolektiv i identitetit shqiptar.

“Në këtë kuqezinë që na e mbështjell sot gjithë tokën tonë, e më tej, që sot valëvitet kudo që tubohen shqiptarët, ne kthehemi në protagonistë që transmetojnë një simbol të fuqishëm — e ky është manifestimi kolektiv i identitetit tonë, i cili na e mishëron unitetin dhe forcën që ka ky popull i joni. Gëzuar 28 Nëntorin! E festofshim përherë të lirë e gjithmonë më të bashkuar!”, ka shkruar Rama.

Të ngjashme