Lajme
Ragmi Mustafa: Shqiptarët nuk duan përfaqësim në Kuvendin e Serbisë, ky është vullneti i tyre
Demokracia
19:12 | 05 Prill 2022

Share:

Në zgjedhjet e 3 prillit që u mbajtën në Serbi, shqiptarët në bazë të rezultateve nuk do të kenë asnjë përfaqësues të tyre në Kuvendin e Serbisë, pavarësisht se në dy vitet e fundit u përfaqësuan nga tre deputetë shqiptarë.

Në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit në Serbi, shqiptarët u përfaqësuan nga dy lista, atë të Shaip Kamberit dhe tjetrën të Shqiprim Arifit, të cilët përfaqësuan nga tre parti të Preshevës dhe të Bujanocit.

E përfaqësimi i shqiptarëve në dy lista ka bërë që tashmë të mos kenë asnjë përfaqësim të tyre në Kuvendin e Serbisë.

Kështu ka bërë të ditur për Demokracia.com, Ragmi Mustafa, Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).

“Tani jo vetëm kësaj radhe, por asnjëherë shqiptarët nuk kanë dalë në votime për Parlamentin e Serbisë. Unë dua të nënvizoj se para dy viteve ishin zgjedhjet me shumë më pak dalës, në qendrat e votimit, në kutitë e votimit. Tani ka pas së paku më shumë. Atëherë 3 vende, kurse tash nuk kanë fituar asnjë vend. Dhe në këtë fushë, përfundimisht, qytetarët shqiptarë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk janë të interesuar për parlamentin e Serbisë. Në këtë sens, partitë politike të dala me dy lista, një listë e veçantë e tre partive politike në Bujanoc dhe një listë e veçantë e tre partive politike në Preshevë, natyrisht se ka ndikuar që votat të shpërndahen, por edhe më pas qenë bashkë, me votën e qytetarit nuk kishin kaluar”, ka deklaruar Mustafa për Demokracia.com.

Sipas tij, kjo nuk është pasojë e përçarjes politike ndërshqiptare, por zgjedhje e vetë votuesit shqiptar.

Partia Demokratike Shqiptare është partia që në asnjë palë zgjedhje parlamentare serbe nuk ka marrë pjesë, që nga themelimi i saj.

Për këtë, Mustafa ka thënë për Demokracia.com se nuk e shohin zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë.

“Partia Demokratike Shqiptare që nga themelimi i saj në vitet e ’90 nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Prej kohës kur e tërë Kosova nuk merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë në vitin 1999 për kohën sa ishte nën okupim. Dhe në këtë fushë, sidomos pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe mbarimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë, për këto 22-23 vite, në asnjë lloj zgjedhje parlamentare, Partia Demokratike Shqiptare nuk ka marrë pjesë dhe nuk e shohim zgjidhjen e problemit të shqiptarëve nëpërmjet një deputeti, i cili është fund e krye i papërfillshëm në një masë 250 deputetësh serbë që janë në Parlamentin e Serbisë. Në këtë drejtim e konsiderojmë një punë dhe angazhim bosh i një deputeti në parlamentin serb, që është absolutisht i padëgjueshëm dhe vesh shurdhër për kërkesat dhe propozimet e shqiptarëve. Në këtë fushë do të përpiqemi ne dhe si zakonisht të kërkojmë zgjidhjen e problemeve me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, natyrisht tani edhe dy qeverive, Prishtinë e Tiranë, por jo nëpërmjet Beogradit. Politika serbe e ka kultivuar albanofobinë dhe në këtë drejtim ne si Parti Demokratike Shqiptare i kemi thënë jo kësaj radhe e edhe 30 vite më përpara parlamentit serb”, ka deklaruar Mustafa. /Demokracia.com/

Të ngjashme