Lajme
Ragmi Mustafa me akuza të rënda pas rikthimit të Shqiprim Arifit në krye të Preshevës: Kuislingë të mbështetur nga Beogradi
Demokracia
19:55 | 11 Prill 2022

Share:

Gjatë ditës së sotme në Kuvendin Komunal të Preshevës është shkarkuar nga e para e këtij qyteti, Ardita Sinani.

Me 20 vota për, nga 38 këshilltar komunal sa janë në Preshevë, është shkarkuar gjatë ditës së sotme kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Por, sipas kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ragmi Mustafa, kjo u arrit edhe falë blerjes që partia e Shqiprim Arifit, Alternativa për Ndryshim, bëri ndaj kryetarit të Kuvendit Komunal, Sami Salihu, i cili ishte në koalicion me Mustafën dhe Sinanin.

Në një prononcim për Demokracia.com, Mustafa ka thënë se Arifi ka bashkëpunuar edhe me serbët për të siguruar votat e nevojshme për shkarkimin e Sinanit.

“Sot nga ora 10:00 ka qenë seanca e Kuvendit komunal të Komunës së Preshevës nga ana e kryetarit të Kuvendit Komunal që sot ishte partner i koalicionit me Partinë për Veprim Demokratik të zonjës Ardita Sinani dhe Partinë Demokratike Shqiptare, që e udhëheq unë. Për jo më pak se 11 muaj nga zgjedhjet e kaluara të parakohshme ishim partnerë koalicioni, mirëpo tash kryetari i Kuvendit, zoti Sami Salihu i Grupit Qytetar Lëvizja për Reforma i cila i ka fituar 5 mandate të këshilltarëve në Kuvendin Komunal, vendosi që t’i jap fund këtij partneriteti të koalicionit pa ndonjë arsyetim. Arsyetimi i sotshëm ishte shumë banal sikurse lidhej me mos unitetin e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të partive politike që dolën me dy lista edhe përkundër asaj se populli shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, i thanë jo edhe njërës edhe listës tjetër”, tha Mustafa.

Sipas tij, lista zgjedhore e Shaip Kamberit mori mbi 9 mijë e 700 vota në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit, ndërsa lista e këtyre, e kryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të mëparshëm të Komunës, që tanimë nga sot ka marrë mandatin edhe kryetar komune, nuk arritën më shumë se 2900 vota në Preshevë, apo pesë herë më pak se sa kanë pasur në zgjedhjet lokale.

“Duke e parë me sy humbjen, ata morën vendim që të bëjnë koalicionin me 20 këshilltarë, 20 këshilltarë është minimumi i përbërjes së Kuvendit Komuna, mirëpo ka gjasa që të zgjerohet edhe me dy serbë të cilët janë në pritje. Mbetet të shihet tani për tani, ata (serbët), nuk u duken në Kuvendin Komunal, por për në të ardhmen, tradicionalisht i kanë pasur partner koalicioni edhe dy serbët lokal”, është shprehur Mustafa për Demokracia.com.

Sipas Mustafës, e tërë kjo që ka ndodhur sot në Preshevë është si pasojë e bashkëpunimit të shqiptarëve me Beogradin zyrtar, duke shtuar se “Beogradi ka gjetur kuislingët në Preshevë, por që fatmirësisht”, siç shprehet Mustafa, këta kuislingë (tradhtar), nuk gjejnë asnjëherë mbështetje nga shqiptarët.

“Kuvendi Komunal ka gjithsej 38 ulëse, prej tyre, dy janë serbë, dhe të tjerat shqiptarë. Partia Demokratike Shqiptare ka 9 ulëse në Kuvendin Komunal të fituara në zgjedhjet e kaluara. Prej këtyre 9 këshilltarëve, ka jo më shumë se 3-4 muaj, një këshilltar e blenë me para të majme opozita atëherë, tash kryetari i Preshevës nga sot, që ishte edhe kryetar i mëparshëm, mirëpo, ka gjasa që e gjithë kjo të ketë rrënjët në Beograd, sepse është jetësisht i interesuar Beogradi zyrtar të mos ketë përfaqësim shqiptarësh në Parlamentin e Serbisë e para, e dyta të ketë kuislingët (tradhtarët) e saj edhe në Preshevë, e që ia arriti dhe në këtë fushë. Kujtoj se Presheva dhe politika shqiptare në Preshevë për momentin është e ndarë mjaftë. Beogradi po arrin ta bëjë këtë ndarje sa herë që gjen aleatët e saj, kuislingët, të cilët nuk shohin më shumë se pushteti, qoftë ai në Beograd me vota të mbushura. Mirëpo, kësaj radhe nuk arritën të bëjnë marrëveshje për t’i mbushur kutitë dhe mbetën pa shkuar delegat ose deputetet në Parlamentin e Serbisë. Dhe tani kjo i ka rrënjët pa asnjë dyshim edhe në mit-marrje, mit-dhënie, korrupsion dhe aq më tepër mbështetje dhe të Beogradit qendror. Është shumë e natyrshme që kjo nuk është bërë me mbështetjen e Prishtinës zyrtare e as të Tiranës zyrtare, mbase kjo do të ishte më e trishtë kur kuislingët e Vuçiqit do të arrinin të fitonin një mbështetje të tillë mirëpo, definitivisht nuk ka një mbështetje as nga Prishtina as nga Tirana”, theksoi Mustafa për Demokracia.com.

I pyetur nëse me këtë dëshiron të nënkuptoj se Shqiprim Arifi është njeriu i Vuçiqit, marrë parasysh faktin edhe pse ai ishte bartës i njërës listë në zgjedhjet parlamentare serbe, Mustafa, tha se kjo nuk ka asnjë dyshim.

“Ajo nuk ka dyshim, sepse e gjithë kjo për të ndodhur sot në Preshevë ishte e programuar që më shumë se dy-tre muaj. Ky programim natyrisht i pati sukses, sepse iu bashkëngjit edhe kryetari i Kuvendit, Sami Salihu, që ishte pjesë e partneritetit tonë”, deklaroi Mustafa. /Demokracia.com/

Të ngjashme