Lajme
Qytetarët shqetësohen me SMS nga bizneset, ja sa mund të dënohen nga AIP
Demokracia
13:48 | 15 Prill 2022

Share:

Shpesh numrat e telefonave celularë të qytetarëve të Kosovës keqpërdoren nga biznese të ndryshme.

Qytetarët marrin oferta zbritjesh e reklama, oferta për aplikime pune, aplikime për viza e ftesa të ndryshme nga bizneset, shkruan Demokracia.com.

Dërgimi i këtyre SMS-ve paraqet shkelje të privatësisë së qytetarëve. Demokracia.com ka kontaktuar Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).

Në një përgjigje me shkrim për Demokracia.com nga API kanë thënë se dërgimi i SMS-ve pa pëlqimin e qytetarit është shkelje e privatësisë.

“Dërgimi i SMS-ve nga kompanitë e ndryshme për oferta, nga këndvështrimi i Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (LMDHP), konsiderohet marketing i drejtpërdrejtë dhe përpunimi i të dhënave personale (nr. i telefonit) për të aplikuar marketingun e drejtpërdrejtë është i rregulluar me nenin 73 dhe 74 të LMDHP-së. Nëse subjekti i të dhënave nuk ka dhënë pëlqimin e tij ,atëher të dhënat e tyre të përpunohen jashtë kritereve ligjore”, kanë thënë nga kjo Agjenci.

Nga API thonë se bizneset duhet të kenë pëlqimin paraprak të qytetarëve për të marrë SMS të tillë.

“Përpunimi i të dhënave personale është i ligjshëm vetëm atëherë kur plotësohen një nga kriteret e paraparë në nenin 5 të LMDHP-së, e në rastin e aplikimit të marketingut të drejtpërdrejtë, kontrolluesit (bizneset) duhet të kenë pëlqimin paraprak të subjekteve të të dhënave (qytetarëve) dhe njëkohësisht t’u japin të drejtë të njëjtëve që në çdo kohë të tërheqin pëlqimin e dhënë, pra të kundërshtojnë”, kanë thënë për Demokracia.com nga AIP.

Kjo Agjenci shpesh merr ankesa nga qytetarët. Sipas tyre kur është konstatuar se bizneset e tilla nuk e kanë pëlqimin e qytetarëve atëherë kanë urdhëruar ndalimin e përpunimit dhe shkatërrimin e këtyre të dhënave.

“AIP, gjatë kësaj periudhe ka pranuar ankesa nga subjektet e të dhënave, për të cilat në raste kur është konstatuar se kontrolluesit nuk kanë bazë ligjore për përpunim të të dhënave, pra nuk e kanë pëlqimin e subjektit të të dhënave, ka urdhëruar ndalimin e përpunimit dhe shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara pa pëlqim”, kanë treguar ata.

Nga AIP kanë treguar se ka pasur raste kur këto SMS janë dërguar kundërligjshëm. “AIP në bazë të kompetencave ligjore, varësisht nga natyra e shkeljes, numri i personave të përfshirë, nivelin e dëmit ndërmerr masat ashtu siç janë përcaktuar me ligj. Deri më tani kemi pranuar ankesa individuale për kontrollues të ndryshëm, me ç’rast në të gjitha rastet kur kemi konstatuar që kontrolluesi nuk ka vepruar sipas dispozitave ligjore, kemi urdhëruar ndalimin e përpunimit, shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara si dhe kemi urdhëruar që marketingun e drejtpërdrejtë të bëjnë në harmoni me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Të njëjtëve iu është tërhequr vërejtja, se në rast të përsëritjes së shkeljes së njëjte do të sanksionohet me gjobë ashtu siç janë të përcaktuara në ligj”, kanë thënë nga API.

Ata kanë treguar se në rast se konstatohet se është bërë shkelje atëherë këto janë ndëshkimet.

“Shkelja e dispozitave për marketingun e drejtpërdrejtë dënohet me gjobë të përcaktuar në nenin 95 të LMDHP-së. -Për personat juridik apo personat që ushtrojnë veprimtari të pavarur shqiptohet gjobë nga katërmijë (4000) deri në dhjetëmijë (10000) euro; Për personat përgjegjës të personit juridik apo personit që ushtron veprimtari të pavarur shqiptohet gjobë nga tetëqind (800) deri në dymijë (2000) euro; për individë shqiptohet gjobë nga dyqind (200) deri njëmijë (1000) euro.”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Demokracia.com. / Demokracia.com/

Të ngjashme