Lajme
Qindra krime të ekstremit të djathtë s’janë hetuar siç duhet nga policia gjermane
Demokracia
17:45 | 04 Dhjetor 2023

Share:

Policia gjermane ka neglizhuar qëllimisht ose nuk ka hetuar siç duhet qindra krime nga ekstremistët e krahut të djathtë, ka zbuluar një hetim zyrtar.

Zyra për Mbrojtjen Shtetërore në Berlin, përgjegjëse për hetimet e krimeve të motivuara politikisht, ka anuluar mbi 350 raste në tre vitet e fundit, sipas transmetuesit publik RBB.

Shefja e Policisë së Berlinit Barbara Slowik konfirmoi se hetimet e brendshme janë në vazhdim për të përcaktuar shkakun se pse oficerët përgjegjës të policisë kanë neglizhuar hetimet e këtyre krimeve të së djathtës ekstreme.

Së paku 364 lëndë nuk janë proceduar siç duhet, kurse dosjet nuk janë dorëzuar te prokurorët publikë, sipas gjetjeve fillestare të hetimit.

E përditshmja gjermane “Tagesspiegel” raportoi se autoritetet tani janë duke hetuar Alexander H., kreun e zyrës përgjegjëse për hetimet e krimeve të së djathtës ekstreme, dhe një oficer rasti, nën dyshimet për “pengim të drejtësisë”.

Para se të emërohej në këtë zyrë, Aleksandr ishte përgjegjës për hetimin e vrasjes së adoleshentit turk Burak Bektas, sipas të përditshmes.

Bektas u qëllua për vdekje në vitin 2012 në lagjen Neukolln teksa ishte me shokët e tij në rrugë. Dy nga miqtë e tij u plagosën rëndë gjatë sulmit.

Policia gjermane pretendoi se nuk mund të gjendeshin gjurmë dhe prova që do çonin tek autorët.

Familja dhe miqtë e tij kanë kërkuar vazhdimisht hetime më të detajuara për vrasjen, duke theksuar se deklaratat e dëshmitarëve tregojnë se ai u vra nga një ekstremist i krahut të djathtë.

Autoritetet gjermane janë kritikuar prej kohësh nga grupet e të drejtave për nënvlerësimin e kërcënimit nga e djathta ekstreme dhe tolerimin e krimeve dhe akteve të dhunës të kryera nga ekstremistët e krahut të djathtë.

Të paktën 219 njerëz janë vrarë në Gjermani nga dhuna neonaziste që nga viti 1989, sipas organizatës për të drejtat e njeriut “Amadeu Antonio Foundation”.

Të ngjashme