Lajme
Qeveria merr vendim për çmimet e naftës
Demokracia
10:56 | 22 Qershor 2022

Share:

Me asnjë votë kundër, Qeveria e Kosovës ka votuar udhëzimin administrativ i cili rregullon çmimin e derivateve të naftës dhe karburanteve të ripërtritshme.

Ashtu edhe siç raportoi Demokracia.com, se sot në mbledhjen e Qeverisë të Kosovës sot u votua udhëzimi administrativ i cili rregullon çmimet e derivateve të naftës dhe karburanteve të ripërtritshme.

“Pika tjetër e rendit të ditës është shqyrtimi i projekt-udhëzimit administrativ për rregullimin e produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtritshme dhe masat e tjera mbrojtëse. Me qëllim parësor mbrojtjen e konsumatorit dhe mbrojtjen e konkurrencës sot është prezantuar ky udhëzim administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve”, tha kryeministri Albin Kurti.

Më pas ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, bëri edhe prezantimin e këtij udhëzimi administrativ.

“Në ligjin për tregti me produkte të naftës dhe karburantet e ripërtritshme është definuar që Qeveria me akt nënligjor nga ministri përgjegjës të përcaktojë rregullimin e çmimit të naftës dhe karburanteve të ripërtritshme dhe masat e tjera mbrojtëse. Udhëzimi administrativ bëhet me qëllim që të mbrohet konsumatori, konkurrenca për të mënjanuar çrregullimet në treg dhe për qëllime të tjera të interesit shtetëror. Në bazë të të dhënave që posedon ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të konfirmuara me evidencë nga bizneset nga Dogana dhe ATK të cilat evidenca kanë argumentuar se ka mospërshtatje të çmimeve vendore dhe lëvizje të çmimeve në tregun botëror krahasuar me lëvizjet e çmimeve në tregun botëror. Andaj për faktin që mospërshtatja e çmimeve është një ndër shkaqet kur qeveria mund të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar apo kufizimin e marzhës tregtare përllogaritjet për çmimin maksimal bazuar nga evidenca e Doganës dhe ATK dhe udhëzimi në fjalë është përgatitur në punë ekipore me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe institucioneve përkatëse, dhe me këtë udhëzim Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, propozon përcaktimin e menjëhershëm të çmimit maksimal të lejuar për derivatet. Udhëzimi administrativ është hartuar në përputhje me procedurat e parapara me rregulloren për punën e Qeverisë së Kosovës pas konsultimit me ATK-në, Doganën, Autoritetin e Konkurrencës, Inspektoratin e Tregut, Shoqatën e Naftëtarëve e të tjerë akter përkatës. Andaj në emër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i propozoj Qeverisë miratimin e udhëzimit administrative për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës, të karburanteve të ripërtritshme dhe masat e tjera mbrojtëse”, shpjegoi Hajdari, raporton më tutje Demokracia.com.

Ky propozim për rregullimin e çmimeve të naftës dhe derivateve të ripërtritshme u votua nga i gjithë kabineti qeveritar dhe nuk pati asnjë kundërshtim apo abstenim. /Demokracia.com/

Të ngjashme